Gjatë një mbledhjeje të kabinetit (siç është raportuar edhe në publikimet e fundit), Donald Trump përsëriti qëndrimin e tij se Irani duhet të hyjë në negociata për t’i dhënë fund luftës, ndërsa paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë “ta godasin pa ndërprerje” nëse Teherani nuk pranon të ulet në tryezën e bisedimeve.
Deklaratat e Trump kanë ngritur pikëpyetje të reja mbi gjendjen e bisedimeve indirekte mes SHBA-ve dhe Iranit.
Presidenti këmbënguli, siç ka bërë edhe në ditët e fundit, se Irani synon arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit. Megjithatë, zyrtarët iranianë kanë deklaruar se vendi nuk është duke negociuar me SHBA-të.
Të mërkurën, Irani hodhi poshtë gjithashtu një plan paqeje të propozuar nga SHBA-të, i cili, sipas raportimeve, kërkonte që regjimi të hiqte dorë nga programi i tij bërthamor dhe të kufizonte kapacitetet e raketave balistike. Gjatë mbledhjes së kabinetit, Steve Witkoff konfirmoi se SHBA-të i kishin paraqitur Iranit një plan paqeje me 15 pika, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e tij.
Trump nuk përmendi refuzimin fillestar të planit nga Irani, as vendimin e tij për të dislokuar trupa tokësore në Lindjen e Mesme. Ai theksoi se vendimi tashmë i takon Iranit dhe paralajmëroi se regjimi do të përballet me pasoja të rënda nëse nuk pranon një armëpushim.
“Nëse nuk e bëjnë, ne jemi makthi i tyre më i keq”, u shpreh Trump. “Do të vazhdojmë t’i godasim pa pushim, pa pengesa.”
E paqartë mbetet mënyra se si SHBA synon ta detyrojë Iranin të ulet në tryezën e negociatave, si dhe pse një valë e re sulmesh do të ndryshonte qëndrimin e Teheranit, në një kohë kur afro katër javë konflikt nuk kanë sjellë një rezultat të tillë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
