Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vlerësoi kryeministren e re të Japonisë, Sanae Takaichi, gjatë një takimi në Tokio.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë do të jenë të shkëlqyera.

“Është një nder i madh të jem me ju, veçanërisht në fillim të mandatit tuaj që, mendoj, do të jetë ndër më të suksesshmit. Nga gjithçka që kam dëgjuar nga Shinzo Abe dhe të tjerët, ju do të jeni një nga kryeministrat më të mëdhenj. Gjithashtu dua t’ju uroj për faktin që jeni gruaja e parë që drejton qeverinë japoneze, është një arritje e madhe dhe dua ta theksoj këtë. Jam i bindur se do të bëni një punë të shkëlqyer dhe se do të kemi një marrëdhënie fantastike”, tha Trump.

Gjatë bisedës, Trump kujtoi edhe fjalët e ish-kryeministrit të ndjerë Shinzo Abe.

“Ai fliste gjithmonë me shumë vlerësim për ju, madje edhe para ngritjes tuaj politike. Nuk jam i befasuar që tani jeni në krye të qeverisë. Ai do të ishte shumë i lumtur ta dinte këtë, dhe ju përgëzoj në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”

Sanae Takaichi, e njohur si një nga mbështetëset më të afërta të ish-kryeministrit Abe, vlerësoi përpjekjet e presidentit Trump për zgjidhjen e konflikteve globale dhe deklaroi se do ta nominonte atë për Çmimin Nobel për Paqe.

Ajo i dhuroi presidentit amerikan topin e golfit të kryeministrit të ndjerë japonez Shinzo Abe, një çantë golfi të nënshkruar dhe një top golfi me gjethe ari.

Shinzo Abe, i cili u vra në vitin 2022, ishte lideri i parë i huaj që u takua me Trump pas fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2016. Të dy zhvilluan një marrëdhënie të ngushtë, të përforcuar nga disa takime dhe lojëra golfi në Shtetet e Bashkuara dhe në Japoni.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes mbi tregtinë dhe metalet e rralla, dy liderët vizituan bazën detare me helikopterin “Marine One”.

Japonia pritet të ofrojë një paketë investimesh në Shtetet e Bashkuara, si pjesë e një marrëveshjeje prej 550 miliardë dollarësh, e arritur këtë vit.

Klan News

/tvklan.al