Gjithçka nisi me një gjest që theu çdo protokoll diplomatik kinez të dekadave të fundit.

Në pistën e aeroportit të Shenzhenit, presidenti kinez Xi Jinping doli personalisht për të pritur homologun amerikan Donald Trump, duke e takuar me një përqafim të ngrohtë sapo zbriti nga avioni presidencial Air Force One.

Një gjest reciprociteti pas pritjes që Trump i bëri në Washington, por mbi të gjitha një sinjal i qartë se Pekini dhe Washingtoni po vendosin tonin e lojës përpara se të ulen me Vladimir Putinin.

Udhëheqësit e tri fuqive më të mëdha bërthamore të botës u ulën në një takim trepalësh, në kuadër të samitit të APEC-ut. Tryeza e madhe e rrumbullakët, por i zoti i shtëpisë, Xi Jinping, është ai që drejton lojën. Rreshtimi i tre udhëheqësve solli menjëherë krahasime me Konferencën e Jaltës të vitit 1945.

“Po bëjmë historinë”, deklaroi Xi Jinping në hapje të takimit.

“Nëse fuqitë janë në paqe, bota është e sigurt.”

Duke iu referuar “Kurthit të Tukididit”, presidenti kinez argumentoi se përplasja mes një fuqie në ngritje dhe një fuqie dominuese nuk është e pashmangshme, ndërsa paraqiti katër parime për bashkëjetesën: respektin e ndërsjellë, bashkëjetesën paqësore, bashkëpunimin dhe dialogun.

“Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara duhet të jenë partnerë dhe miq, të shmangin konfliktin dhe konfrontimin dhe të ruajnë vijën bazë të bashkëjetesës paqësore.”

Pjesa më konkrete e mesazhit të Xi-së lidhej me energjinë, duke kërkuar stabilitet të tregjeve globale. Fjala i kalon më pas Vladimir Putinit, i cili thekson se me Trumpin dhe Xi-në ka interesa të përbashkëta për zgjidhjen e konflikteve.

“Vendet tona kanë interesa të shumta të përbashkëta në zgjidhjen e konflikteve rajonale, përfshirë, natyrisht, konfliktin në Ukrainë. Ne duhet të diskutojmë patjetër marrëdhëniet ekonomike globale dhe rajonale, si dhe sigurinë ushqimore dhe energjetike.”

Tani është “një mundësi unike për të folur për armët bërthamore”, ngulmoi në tryezë presidenti amerikan, Donald Trump.

“Si tri fuqitë më të mëdha të botës, ne kemi përgjegjësi të veçantë për të mbajtur një dialog të hapur, të respektueshëm dhe produktiv për çështjet që prekin jo vetëm popujt tanë, por të gjithë planetin.”

Trump pranoi se çarmatimi është i vështirë, por u tregua i prerë: Nuk do t’i lejojmë Iranit të ketë një armë bërthamore!

“Një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të luftohet”, shtoi Xi Jinping, i cili kërkoi shkatërrimin e plotë të tyre, edhe pse Kina në 10 vjet e ka trefishuar arsenalin e saj bërthamor, i cili, megjithatë, mbetet ende shumë larg atij të Rusisë dhe SHBA-ve.

Këto ishin temat e prekura në pjesën e hapur për shtypin, e cila zgjati vetëm 10 minuta, ndërsa pjesa tjetër u zhvillua me dyer të mbyllura.

Në përfundim, tre liderët publikuan “Deklaratën e Përbashkët drejt Paqes”, e cila mbështetet në katër shtylla kryesore.

Së pari, siguria bërthamore: zotimi për dialog për uljen e rreziqeve bërthamore dhe parandalimin e përhapjes së tyre, pa vendosur, megjithatë, afate apo mekanizma verifikimi.

Së dyti, energjia globale: angazhimi për të mbështetur furnizimet e qëndrueshme dhe për të rritur prodhimin e produkteve të rafinuara të naftës, një zotim që bie ndesh me goditjet e përditshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

Së treti, reforma e OKB-së: mbështetja për reformimin e Kombeve të Bashkuara, që organizata të jetë më efektive.

Dhe së katërti, imuniteti diplomatik: kërkesa për respektimin e sovranitetit dhe imunitetit të zyrtarëve shtetërorë në gjykatat ndërkombëtare, një pikë e qepur enkas për Vladimir Putinin, ndaj të cilit Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhër-arresti.

Megjithatë, në asnjërën prej katër shtyllave nuk kishte marrëveshje për Ukrainën.

Më pas, lufta dhe rivalitetet dominuan takimet dypalëshe që i paraprinë tryezës së përbashkët. 40 minuta zgjati takimi Trump-Putin, i pari mes tyre që nga gushti i vitit të kaluar.

“Kemi folur për Ukrainën, diçka po lëviz”, deklaroi Trump, duke e quajtur Putinin “mik”, ndërsa Kremlini konfirmoi se Putini ishte i kënaqur.

Më pas, në takimin kokë më kokë me Xi Jinpingun, Trump përcaktoi se armëpushimi tregtar skadon në janar, ndërsa i kërkoi Pekinit ndihmë konkrete për konfliktin në Evropën Lindore.

Xi tha se marrëdhënia është në përmirësim të qëndrueshëm, duke propozuar administrimin e mosmarrëveshjeve.

Të dy liderët diskutuan pasojat e luftës në Iran në tregje, Ngushticën e Hormuzit dhe vijën e kuqe kineze: Tajvanin. Xi kërkoi që SHBA-të të bëjë “gjënë e duhur”, ndërsa, sipas agjencisë Xinhua, Trump u përgjigj se Uashingtoni nuk e mbështet pavarësinë e Tajvanit, duke lënë pezull kontradiktën e mbështetjes ushtarake amerikane për ishullin.

Sa larg është ende paqja e tregoi konferenca për shtyp e Putinit pas takimit. Ai tha se kishte shqyrtuar një moratorium për sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe në Detin e Zi, por sulmet ukrainase ndaj urës së Krimesë e kanë mbyllur këtë mundësi.

“Pas sulmeve ndaj urës së Krimesë, nuk do të ketë marrëveshje. Ne do t’u përgjigjemi këtyre sulmeve. Dhe dua që ta dinë të gjithë: besoj se përgjigjja jonë do të jetë shumë më e dhimbshme se ajo që regjimi i Kievit i shkaktoi urës.”

Putini foli edhe për Europën, e cila mungonte në Shenzhen, ndonëse siguria e saj vendoset aty.

“Ne duhet të kuptojmë se çfarë do të sjellë Europa në këto negociata. Prandaj, përmes kanaleve diplomatike, u kemi propozuar europianëve të vijnë në Moskë dhe të paraqesin qëndrimin e tyre.”

Kjo deklaratë erdhi teksa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderët europianë po zhvillonin në Berlin bisedime me të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Nga përqafimi i ngrohtë në pistë me Trumpin te tavolina e ndarë e banketit për Putinin, samiti i Shenzhenit prodhoi fotografi historike, por jo armëpushim në Ukrainë, çarmatim bërthamor apo zgjidhje për Tajvanin.

Secili mori një përfitim politik: Trump tregoi se mund t’i ulë rivalët në një tryezë; Putini theu izolimin perëndimor dhe sfidoi urdhër-arrestin ndërkombëtar; ndërsa Xi projektoi Kinën si arkitekte të rendit global.

Klan News

/tvklan.al