Truri i grave pëson ndryshime të dukshme jo vetëm pas shtatzënisë së parë, por edhe pas të dytës, duke forcuar lidhjen nënë-fëmijë dhe aftësinë për t’u përshtatur emocionalisht.

Truri i grave ndryshon pas lindjes, jo vetëm pasi sjellin në jetë fëmijën e parë, por edhe pas lindjes së dytë. Sipas një studimi të fundit konfirmohet modifikimi i trurit dhe forcimi i mëtejshëm i përkujdesjes, vëmendjes dhe kontrollit të lëvizjes. Nuk dihej deri më sot që ndryshimet vijonin edhe pas një shtatzënie të dytë, pasi shkenca deri më tani ishte ndalur tek ndryshimet thelbësore të gruas vetëm me fëmijën e parë.

Në vëzhgimet mbi 110 gra, në shtatzëninë e parë ndryshimet janë kryesisht mbi strukturën dhe aktivitetin e lidhur me reflektimin mbi veten dhe marrëdhëniet me të tjerët. Në të dyja rastet truri pëson modifikime për të favorizuar lidhjen nënë-fëmijë dhe forcën për përshtatjen emocionale, që në herën e parë është më e dukshme. Ndërsa gjatë shtatzënisë së dytë, modifikimet strukturore janë të lidhura shpesh edhe me simptoma depresive, kryesisht sjellje me shqetësim dhe merak të shtuar.

Zbulimi është mjaft i rëndësishëm për të kuptuar problemet e shëndetit mendor që mund të pasqyrohen tek nënat dhe të bëhet më shumë në zhvillimin e terapive të vlefshme për të parandaluar dhe trajtuar kryesisht depresionin post-partum. Gjithashtu hedh dritë mbi fleksibilitetin e jashtëzakonshëm të gruas, që përshtatet shpejt dhe vazhdimisht me ndryshime të mëdha e të vogla të jetës.

Klan News

/tvklan.al