OSBE-ja ka mbështetur një tryezë debati për luftën kundër korrupsionit dhe punën për deklarimin dhe verifikimin e pasurive të politikanëve dhe shtetarëve. Inspektoriati i Lartë i Kontrollit të Pasurisë ka mbledhur përfaqësues të institucioneve që kanë nënshkruar për bashkëpunim në verifikimin e pasurive.

Kryeinspektorja Laska ka përmendur disa pengesa të hasura gjatë verifikimit dhe kryesisht me disa institucione të cilat nuk kanë sistem informatizimi. Më konkret në kërkesat e tij është shprehur kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit i cili ka kërkuar angazhim të shërbimit sekret në luftë kundër krimit ekonomik.

Robert Çeku: “Shpresoj që dhe Shërbimi Informativ Kombëtar, në një ndër drejtimet kryesore të punës së vet, të ketë pikërisht krimin në ekonomi, për të mos folur për institucionet e tjera. Kam filluar një bashkëpunim shumë të ngushtë me zyrën e prokurorit të përgjithshëm.”

Ndërsa ambasadori i OSBE-së në Tiranë Pavel Vacek, duke vlerësuar punën për vendosjen e legjislacionit përkatës, ka shprehur se lufta kundër korrupsionit në Shqipëri është një proces i rëndësishëm që lidhet ngushtë dhe me integrimin e vendit. /tvklan.al