Thomas Tuchel paralajmëroi Jude Bellingham se ‘sjellja është çelësi’, pasi mesfushori i Anglisë protestoi për zëvendësimin e tij në fitoren 2-0 ndaj Shqipërisë.

Harry Kane sapo kishte shënuar golin e tij të dytë në minutën e 84-të kur, ndërsa Bellingham kishte marrë karton të verdhë, Morgan Rogers ishte nisur të bëhej gati në vijën anësore për t’u futur në lojë.

Por ylli i Real Madridit reagoi duke lëvizur duart kur kuptoi se do të zëvendësohej. Tuchel tha në konferencën për shtyp pas takimit se mbi çdo individ rëndësi kanë standardet.

“E pashë që nuk ishte i lumtur! Nëse ke lojtarë si Jude që janë kaq konkurrues, atyre nuk do t’u pëlqejë kurrë zëvendësimi. Por fjala ime qëndron, ne jemi për standarde dhe një nivel angazhimi ndaj njëri-tjetrit dhe respekti për njëri-tjetrin. Pra, nëse dikush po pret jashtë, ne nuk do ta ndryshojmë vendimin tonë vetëm sepse dikush po bën me krahë”.

Gjermani shtoi se nuk do që ta zmadhojë më shumë çështjen, por i qëndron fjalëve të tij.

“Sjellja është kyçe dhe respekti ndaj shokëve të skuadrës që futen në lojë! Vendimet merren dhe duhet t’i pranosh si lojtar. Ky është vendimi dhe ai duhet ta pranojë vendimin. Shoku i tij po priste në vijën anësore! Duhet ta pranosh dhe ta respektosh dhe të vazhdosh përpara! Jude kishte edhe karton të verdhë dhe ne e morëm vendimin para golit të dytë. Vendimi ngelet!”

Tek Anglia, pas përfundimit në mënyrë perfekte të kualifikueseve të Botërorit, vëmendjen e kanë nga eventi i verës së ardhshme.

Jude Bellingham konsiderohet si një nga yjet e ekipit dhe vëmendja tek ai është maksimale.

Klan News

/tvklan.al