Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka rikthyer në kombëtare Jude Bellingham dhe Phil Foden për sfidat kualifikuese të Kupës së Botës 2026 kundër Serbisë dhe Shqipërisë.

Për herë të parë u grumbullua mesfushori i Bournemouthit, Alex Scott.

Tekniku gjerman nuk mori sulmuesin e Brightonit, Danny Welbeck, ndërsa mungojnë edhe mesfushori Jack Grealish dhe mbrojtësi i djathtë i Realit, Trent Alexander-Arnold.

Lojtari i Manchester Cityt, Foden, nuk ishte thirrur në tre takimet e fundit të Anglisë, me sfidën e tij të fundit me Tre Luanët në mars ndaj Letonisë.

Tuchel la të kuptohet në konferencën për shtyp se Foden e Bellingham do të luftojnë për një vend si numër 10 në kombëtare.

“Jude kthehet si një numër 10, ky është pozicioni i tij më i mirë! Një nga pikat e tij kyçe të forta është shënimi i golave nga ky pozicion. Mund të duken si gola të lehtë, por të mbërrijë në këto pozicione është një nga cilësitë e tij të spikatura. Ne do të përpiqemi t’i gjejmë hapësirë në pozicionin numër 10, që ai të shënojë këta gola. Aty ku Phil luajti kundër Borussia Dortmundit është vendi ku unë e shoh më të fortë. Ai është afër zonës së kundërshtarit dhe është një përzierje mes një numri nëntë dhe një numri 10”.

Tekniku gjerman gjithashtu ka zgjedhur të thërrasë mesfushorin e Crystal Palace, Adam Wharton, dhe portierin e Newcastle, Nick Pope.

Myles Lewis-Skelly, Morgan Gibbs-White, Ruben Loftus-Cheek dhe Ollie Watkins janë ndër lojtarët që do të mungojnë.

Klan News

/tvklan.al