Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-ve, Tulsi Gabbard, ka njoftuar planet për të shkurtuar stafin e agjencisë me gati 50% ndërsa po riorganizon zyrën.

Teksa shpalli shkurtimet, Gabbard tha se agjencia ishte bërë “e fryrë dhe joefikase” gjatë dy dekadave të fundit. Ajo shtoi se buxheti vjetor do të reduktohet gjithashtu me 700 milionë dollarë.

Sipas saj, “ndryshimet serioze” do të konsolidojnë ekipet brenda agjencisë dhe do të sigurojnë që ajo të përmbushë misionin për të “ofruar inteligjencë objektive, të paanshme dhe në kohë”.

Njoftimi erdhi disa orë pasi Gabbard tha se administrata Trump do t’u hiqte autorizimet e sigurisë 37 zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve amerikanë. Ndër ndryshimet e tjera të shpallura, ristrukturimi eliminon Qendrën për Ndikim të Huaj Keqdashës, e cila monitoron përpjekjet e huaja për të ndikuar opinionin publik në SHBA. Një dokument shpjegues tha se kjo detyrë tashmë kryhej nga njësi të tjera të inteligjencës amerikane.

Po ashtu, Gabbard po heq edhe njësi që gjurmojnë armët e shkatërrimit në masë dhe kërcënimet kibernetike, duke thënë se edhe këto funksione kryheshin nga një njësi tjetër e inteligjencës. Do të mbyllet gjithashtu edhe një grup që prodhonte parashikime afatgjata për tendencat globale.

Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI) kishte rreth 1 mijë e 800 punonjës kur Gabbard mori drejtimin. Ajo ka reduktuar tashmë stafin me rreth 25%, sipas Federal News Network, që fokusohet në lajme për administratën federale.

ODNI nuk e ka bërë të qartë nëse reduktimi prej 50% do të llogaritet mbi madhësinë fillestare të stafit apo mbi totalin tashmë të reduktuar.

Heqja e autorizimeve të sigurisë u shpall në një memo të postuar në rrjetet sociale, ku Gabbard u kërkoi disa drejtuesve të agjencive të sigurisë kombëtare të hiqnin menjëherë autorizimet e zyrtarëve, duke deklaruar se ky veprim ishte urdhëruar nga presidenti. Ajo i akuzoi ata për politizim të inteligjencës për përfitime partiake ose personale.

Zyrtarët përfshijnë disa këshilltarë të sigurisë kombëtare që kanë shërbyer nën ish-presidentët demokratë Joe Biden dhe Barack Obama.

Gabbard nuk ofroi prova për të mbështetur akuzat në memo.

Autorizimet e sigurisë japin akses në informacion të ndjeshëm qeveritar, dhe disa ish-zyrtarë i mbajnë ato për të këshilluar pasuesit. Disa vende pune në sektorin privat, si në mbrojtje dhe hapësirë-ajrore, mund të kërkojnë autorizime sigurie si kusht paraprak për punësim.

Nuk është ende e qartë nëse të gjithë 37 individët e listuar në memo mbanin ende autorizime aktive.

Gabbard tha se Trump urdhëroi heqjen e autorizimeve sepse zyrtarët kishin “abuzuar me besimin publik duke politizuar dhe manipuluar inteligjencën, duke nxjerrë informacione të klasifikuara pa autorizim dhe/ose duke kryer shkelje të rënda të qëllimshme të standardeve të praktikës profesionale”.

“Të jesh i besuar me një autorizim sigurie është një privilegj, jo një e drejtë,” shkroi Gabbard në X.

“Ata në komunitetin e inteligjencës që tradhtojnë betimin ndaj Kushtetutës dhe vendosin interesat e tyre mbi interesat e popullit amerikan kanë thyer besimin e shenjtë që premtuan ta mbanin.”

Memoja nuk paraqiti akuza ndaj individëve të veçantë.

Kjo nuk është hera e parë që administrata Trump ka hequr autorizimet e sigurisë për zyrtarët e inteligjencës.

Administrata e ka bërë të njëjtën gjë më parë për Biden, zëvendëspresidenten e tij Kamala Harris dhe ish-ligjvënës të përfshirë në hetimet për trazirat në Kapitolin e SHBA-së katër vite më parë.

Në javët e fundit, Gabbard ka udhëhequr akuzat kundër zyrtarëve të inteligjencës nga koha e Obamës, të cilët kishin përfunduar se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016, të cilat i fitoi Trump.

Trump dhe Gabbard e kanë përshkruar vlerësimin e komunitetit të inteligjencës si një “komplot tradhtie” për të minuar suksesin elektoral të presidentit.

Demokratët i kanë hedhur poshtë këto veprime si një shpërqendrim politik dhe kanë akuzuar Shtëpinë e Bardhë për devijimin e vëmendjes nga politikat jopopullore dhe lidhjet e supozuara të Trump me të dënuarin për krime seksuale Jeffrey Epstein.

“Këto akuza të çuditshme janë qesharake dhe një përpjekje e dobët për shpërqendrim,” tha muajin e kaluar një zëdhënës i Obamës./tvklan.al