Janë ditët e fundit të gushtit dhe vija bregdetare e vendit tonë vijon të presë numër të lartë vizitorësh. Dhe, sipas operatorëve turistikë, këtë vit sezoni ka nisur më herët. Gjatë muajve të pranverës, sipas të dhënave, pati 20 përqind më shumë vizitorë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Teksa edhe muaji gusht po mbyllet, mund të thuhet se edhe ky sezon veror ka qenë i suksesshëm.

Ky sezon pati edhe risi. Kjo për sa i përket gjeografisë së turistëve që kanë zgjedhur këtë verë Shqipërinë. Vizitorë nga disa shtete shkelën për herë të parë në vendin tonë.

Për sa i përket tipologjisë së turistëve, ajo ka qenë thuajse e njëjtë me sezonin e kaluar. Megjithatë, operatorët turistikë në Shëngjin thonë se ka pasur numër të lartë vizitorësh, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për netqëndrimet. Në këtë situatë ka ndikuar kursi i euros.

Ndryshe është paraqitur situata në bregdetin e Jonit. Sipas operatorëve turistikë në Vlorë, ky qytet është kthyer në epiqendër të turizmit në jug të vendit. Janë familjet ato që e zgjedhin më shumë këtë qytet bregdetar.

Vera po mbyllet, por jo sezoni turistik. Sipas tur-operatorëve, ka interes të lartë edhe për muajt e vjeshtës. Kapacitetet janë ezauruar për muajin shtator, ndërsa numër i lartë prenotimesh ka edhe për tetorin. Synohet që këtë vit sezoni turistik të zgjatet deri në nëntor.

Operatorët në Vlorë thonë se kërkesa për vjeshtën do të ishte më e lartë nëse do të hapej aeroporti i Vlorës.

Prej kohësh, sezoni turistik në Shqipëri është zgjatur. Kjo pasi vizitorët nuk e zgjedhin vendin tonë jo vetëm për detin, por edhe për historinë dhe trashëgiminë e pasur kulturore, kryesisht gjatë muajve të vjeshtës dhe pranverës.

Tv Klan

/tvklan.al