Në radhë për të parë xhaminë më të vjetër të Tiranës, atë të Et’hem Beut. Edhe pse në Tiranë ka patur edhe më të vjetra, ato u shembën gjatë kohës së dikaturës, ndërsa kjo xhami përgjatë viteve u kthye në simbol të qytetit.

Kjo është pamja që sheh çdo qytetar që kalon në qendër këto ditë vere edhe në oraret kur shënohen temperatura përvëluese.

Xhamia e Et’hem Beut përveç funksionit si institucion fetar njëkohësisht mban edhe statusin e monumentit të Kulturës, të kategorisë së I, status ky që e mori më 1948.

Nga të katërta anët e botës të gjithë turistët pa dallim besimi e kanë në listën e objekteve historike që duhet të shohin përgjatë qëndrimit në Tiranë. 

Pasi respektojnë rregullat për të hyrë, ajo që i tërheq vëmendjen vizitorëve janë muret dhe kupola e Xhamisë, pasi është e gjitha e pikturuar, tipar ky që e bën një ndër më të veçantat në Shqipëri.

“Unë jam franceze. Kjo është hera e parë që vizitoj një xhami kaq të bukur dhe jam shumë e lumtur që jam këtu në Shqipëri”.

“Jam nga Spanja, është hera e parë që vizitoj një xhami. Më pëlqeu shumë, elementi i muraleve e bën të veçantë”.

“Për mua është hera e parë që shikoj një xhami, dhe mund ta quaj një nga vizitat më të veçanta”.

“Jam nga Londra, është një xhami mbreslënëse.”

Imami xhamisë dy shekullore Enes Hyka, thotë se në ditë aty mund të hyjnë rreth 1 mijë turistë, edhe pse është vështirë për të dhënë një shifër konkrete pasi hyrja është lirë.

Ky fluks ka bërë që të vendosen edhe oraret e kohës së vizitave, në mënyrë që falja e besimtarëve mos të cënohet.

Sipas të dhënave historike ndërtimi i xhamisë ka nisur më 1793 nga Mulla Beu dhe është përfunduar më 1823 nga djali i tij E’them Beu prej nga ka edhe emrin. Xhamia e Et’hem Beut u rihap për besimtarët në 2021 pas dy vitesh që ju nënshtrua restaurimit të plotë.

Tv Klan