Manastiri i Ardenicës po njeh një fluks të jashtëzakonshëm turistësh gjatë kësaj periudhe. Si një nga pikat më të çmuara të trashëgimisë historike dhe kulturore të zonës së Lushnjes, ky vend po preferohet nga vendas dhe të huaj.
Arkitektura e veçantë dhe natyra e qetë që e rrethon këtë vend të shenjtë, ka tërhequr vemëndjen e guidave turistike.
Sipas udhërrëfyesve, interesi për Manastirin e Ardenicës ka ardhur në rritje, falë pozicionit të favorshëm gjeografik dhe vlerave të jashtëzakonshme që mbart ky monument kulture.
Gjatë muajit maj vizitorët kanë ardhur kryesisht nga Franca, Gjermania, Amerika, Ukraina, Polonia etj.
“Kam 10 ditë në Shqipëri dhe kam parë sidomos vendet e UNESCO-s, kam qenë në Berat, Gjirokastër, Butrint tani në Ardenicë e më vonë në Apolloni. Janë vende të mrekullueshme, të jashtëzakonshme. Kjo është hera e parë që pashë Shqipërinë, por natyrisht nuk do të jetë e fundit”, tha një turist nga Franca.
“Manastiri ishte shumë i bukur, i jashtëzakonshëm, i vjetër , na vjen keq që nuk mund të bënim fotografi brenda, ju mirëkuptojmë, por edhe kopshti ishte i bukur”, tha një turiste nga Franca.
“Vij nga Nju Meksiko, më ka pëlqyer shume Shqipëria, Tirana, Durrësi, Ardenica, gjithçka është e bukur këtu”, tha një turiste nga Amerika.
I ngritur mbi një kodër të gjelbëruar, Manastiri i Ardenicës ofron një pamje fantastike 360 gradë që shtrihet mbi fushën e Myzeqesë, detin Adriatik dhe malin e Tomorrit në Berat dhe Karaburunin e Vlorës në Horizont.
Pikërisht për këtë Panoramë shumë turistë e përfshijnë Ardenicën si një ndalesë të detyrueshme gjatë udhëtimeve drejt jugut të Shqipërisë.
Por, Ardenica po tërheq vëmendjen edhe të grup moshave të ndryshme vendase, mjaft prej të cilëve vijnë për herë të parë që ta shohin.
Një grup mjekësh dhe infermieresh në pension nga Elbasani kanë udhëtuar në fund javë për të parë Manastirin e më pas për të drekuar në restorantet e zonës.
Me rritjen e vëmendjes ndaj turizmit kulturor dhe historik , Manastiri i Ardenicës vazhdon të mbetet një nga shtyllat kryesore të ofertës turistike të Lushnjes, duke e kthyer këtë vend në një destinacion të vizitueshëm për gjatë gjithë vitit.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 