Vlora mbetet e preferuara e turistëve të huaj edhe gjatë pranverës. Operatorët e turizmit detar thonë se kërkesat këtë vit janë më të larta se një vit më parë, ndërsa destinacionet më të vizituara janë ishulli i Sazanit, Karaburuni dhe plazhet e virgjëra që nuk arrihen me makinë.

Turizmi detar në Vlorë po njeh rritje të ndjeshme, duke tërhequr çdo ditë qindra pushues vendas dhe të huaj që zgjedhin të eksplorojnë bregdetin përmes tureve me mjete lundruese. Në prag të sezonit veror, kërkesa për këto shërbime është shtuar ndjeshëm, duke e kthyer qytetin në një nga më të frekuentuarat në vend. Ishulli i Sazanit, gadishulli i Karaburunit, plazhet e virgjëra dhe shpella e Haxhi Alisë janë pikat më të vizituara.

“Zgjodha Vlorën sepse nuk kam qenë këtu. E njoh Shqipërinë disi, Sarandën, Tiranën, Shkodrën, por kurrë nuk kisha qenë në Vlorë. Përshtypja ime? Plazhe të mrekullueshme, restorante gjithandej. Këto turet me varkë janë më të mirat e këtij udhëtimi. Sot do të shkoj në ishull, moti është i ngrohtë dhe mezi po pres”, thotë një pushues nga Polonia.

Operatorët turistikë thonë se edhe pse jemi në prill, rezervimet janë 50% më shumë krahasuar me vitin e kaluar.

“Do të ndjekin Karaburun-Sazan… Jemi në muajin prill. Si sot një vit më parë interesi ka qenë më pak se gjysma, ndërsa tani është rritur me 50%”, shprehet Olsen Sherifaj, menaxher i grupeve me turistë.

“Shohim interes. Çdo turist që vjen në Vlorë do të vizitojë këto vende”, shton Fabjo Mehmeti, guidator detar.

Kombësitë janë të larmishme dhe nuk mungojnë edhe ato nga shtete të largëta.

“Unë realisht mendoj se njerëzit këtu janë tepër miqësorë dhe mikpritës. Më pëlqen natyra dhe është hera ime e parë në këtë tur në det”, shprehet një turiste nga Kalifornia. 

“Ne vijmë nga Franca, do të qëndrojmë këtu 5 ditë. Është hera jonë e parë. Na pëlqen deti, dielli dhe, nëse po më pyet për njerëzit, ju jeni shumë të sjellshëm”, thotë një çift nga Franca.

“Hera ime e dytë që vij në Shqipëri dhe jam kthyer sepse këtu ka shumë për të dashur. E dua këtë qytet. Do të jetë një eksperiencë e çmendur dhe jam shumë entuziaste. Mendoj se plazhet e Karaburunit janë më të bukurat”, shprehet një turiste nga Polonia.

Infrastruktura në shërbim të turizmit detar po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm. Lokacioni i ankorimit të mjeteve lundruese është kthyer në një pikë kyçe që lidh qendrën e qytetit me portin dhe Lungomaren. E pozicionuar në mënyrë strategjike, ajo është lehtësisht e aksesueshme për vizitorët dhe njëkohësisht e vendosur larg plazheve me pushues, duke garantuar siguri për jetën e tyre.

Tv Klan

/tvklan.al