Revista amerikane “Skift” ka shkruar sërish për Shqipërinë, ku në qendër ka qenë rritja e fluksit të turistëve. Në shkrimin me titull, “pse Shqipëria po bëhet kaq popullore”, analizohet rritja e fluksit të turistëve drejt vendit tonë.

Kjo revistë e cilëson Shqipërinë një destinacion miqësor me buxhetin. Thekson se ky vend ka pasur një rritje prej 141% të trafikut ditor të fluturimeve që nga viti 2019.

Veçon si më të vizituarat kryeqytetin, Tiranën dhe zonat bregdetare.

Në lidhje me popullaritetin e Shqipërisë nga turistët, thuhet se ka pasur më shumë fokus në drejtim të rritjes së numrit të fluturimeve, përpjekje kjo për të mbështetur një rritje më të madhe ekonomike.

Në raportin mbi fluturimet ku bazon shkrimin e saj revista amerikane “Skift”, thuhet se udhëtarët po qëndrojnë gjithnjë e më shumë ditë dhe ky trend është më i spikatur në destinacionet që nuk kanë përjetuar një rritje të madhe të çmimeve të hoteleve.

Shqipëria u renditet sërish e para mes 47 vendeve në Europë për fluksin e pasagjerëve përmes linjave ajrore.

Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve raportoi se gjatë muajit mars numri i shtetasve që udhëtuan me avion u rrit me mbi 233 përqind. Sakaq, nga janari deri në mars në vendin tone hynë mbi 1.5 milion të huaj, 43% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar.

Klan News