Policia e Lezhës ka nisur zbatimin e Planit të Masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror, ku në fokus janë edhe kontrollet ndaj strukturave që gjenerojnë zhurma nga muzika, kryesisht në zonat turistike.

Në vijim të masave sensibilizuese, janë organizuar edhe takime informuese me administratorë të bareve apo lokaleve të natës, të cilët kanë organizime të ndryshme me muzikë.

Në kuadër të këtyre kontrolleve, janë testuar me matës të zhurmës disa ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, në zonën turistike të Shëngjinit, për verifikimin e respektimit të nivelit kufi të lejuar të zhurmës të përcaktuar.

Matjet e realizuara, sipas kushteve të përcaktuara në procedurën standarde për këtë qëllim, kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.

Krahas matjes së nivelit të zhurmës, strukturat përgjegjëse kanë ushtruar kontrolle edhe për respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, në zona apo qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.

Policia e Lezhës bën të ditur se mbetet e angazhuar dhe e vendosur për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për qytetarët dhe vizitorët.

Klan News

/tvklan.al