Tri ditë të mbushura me argëtim, emocion dhe pasionin e fëmijëve në ndjekje të ëndrrës së tyre për t’u bërë futbollistë.

Nga data 5 deri më 7 prill u zhvillua në ambientet e Akademisë Triumf një turne që bëri bashkë afro 100 skuadra dhe 2000 fëmijë të akademive të ndryshme nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut për grupmoshat 9, 11 dhe 13 vjeç.

Me mbështetjen e Federatës Shqiptare të Futbollit, në atmosferën plot energji dhe entuziazëm, qëllimi ishte një dhe i vetëm: promovimi i një stili jetese të shëndetshëm për fëmijët dhe nxitja e frymës së bashkëpunimit përmes sportit.

I pranishëm në finalet e këtij turneu ishte edhe presidenti Armand Duka.

“Një turne shumë i bukur, me pjesëmarrje të bukur, në një festë sportive. Ky është qëllimi ynë që të afrojmë sa më shumë fëmijë”, tha Armand Duka, president i FSHF.

Andi Lila, si një prej organizatorëve të eventit, theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla në zhvillimin fizik dhe social të fëmijëve.

“Për arsye se çdo gjë shkoi siç duhet, kishte pjesëmarrje nga skuadra nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Këto turne bashkojnë gjithçka shqiptarinë, kudo që janë. Kjo është hera e tyre që po organizojmë një turne të tillë dhe eksperienca duke ardhur e duke u përmirësuar”, tha Andi Lila, themelues i Akademisë Triumf.

Në fund të turneut u shpërndanë çmimet simbolike për skuadrat fituese, 2 Korriku dhe Akademinë Triumf, dhe futbollistët që spikatën. Ky ishte eventi i dytë pas atij të zhvilluar për Festën e Pavarësisë, ku mori pjesë edhe skuadra e Watfordit.

Tv Klan

/tvklan.al