Numri dy i diplomacisë turke, Mehmet Kemal Bozay, i tha Klan News se Ankaraja po punon së bashku me shtetet ballkanike për portet, transportin, telekomunikacionin dhe energjinë.

“Me Ballkanin Perëndimor ne kemi lidhje politike, kulturore dhe ekonomike. Fjala kyçe këtu është lidhshmëria brenda rajonit, duke qenë se Turqia është gjithashtu një vend ballkanik. Ne duhet që të punojmë së bashku për portet, transportin, telekomunikacionin dhe energjinë, pasi ne jemi pjesë integrale e mirëqenies dhe stabilitetit të ardhshëm të rajonit dhe të Evropës.”

Procesi i integrimit të Turqisë në Bashkimin Evropian është aktualisht i ngrirë, me negociatat e bllokuara në vitin 2018. Një sërë shtetesh, si Austria, Gjermania dhe Franca, nuk janë të kënaqura me nivelin e demokracisë në këtë vend.

“Për ne, ajo që ka rëndësi është se si do të realizohet vendimmarrja, se cilat do të jenë raportet e votimit dhe çështje të tjera.

Turqia, si shtet kandidat, ka vullnetin politik për t’u bërë pjesë e BE-së dhe tregjeve të përbashkëta, ndërkohë që ne të vijojmë me procesin e anëtarësimit.

Turqia është gjithashtu pjesë e kontinentit evropian, ndaj duhet që të vijojmë me këtë proces.”

Bozay e sheh vonesën në procesin e anëtarësimit të vendit të Turqisë në BE te fakti se bëhet fjalë për një shtet të madh.

“Procesi po zgjat kaq shumë, se ne jemi një vend i madh, me kapacitete të mëdha, ndaj nuk është aq e thjeshtë, por besojmë se do të shihni se ky proces do të ecë përpara dhe në fund do të ketë një Evropë më të gjerë.

Siguria ekonomike është e rëndësishme, ashtu si edhe aftësia konkurruese; Turqia, me një treg prej 86 milionë banorësh, duhet të jetë pjesë e sistemit evropian, sepse përndryshe, as për vetë BE-në nuk do të jetë konkurruese në nivel global.”

Sipas Brukselit, Ankaraja nuk ka arritur të përmbysë prapambetjen e saj demokratike, si dhe të adresojë shqetësimet e thella mbi sundimin e ligjit, liritë themelore dhe pluralizmin politik.

Klan News

/tvklan.al