“Nuk duhen marrë vendime të njëanshme në detin Jon”

Ndryshe nga Shqipëria, zgjerimi i territorit detar me 12 milje që u miratua në parlamentin grek natën e të mërkurës, nuk është kaluar në heshtje në Turqi. Përmes një deklarate për shtyp, ministria e Jashtme turke i bëri thirrje Greqisë që të mos e zgjerojë territorin detar në mënyrë të njëanshme edhe në detin Egje.

“Zgjerimi i territorit detar në Jon nuk prek në asnjë mënyrë Egjeun. Turqia ka të drejta jetike dhe interesa në detin Egje, ku ekzistojnë rrethana gjeografike të veçanta. Pozicioni i Turqisë për ujërat territoriale të detit Egje është që zgjerimi nuk duhet të bëhet në asnjë mënyrë që kufizon lirinë e lundrimit e po ashtu edhe daljen në det të hapur të Turqisë dhe vendeve të treta, siç është e qartë për të gjitha palët”.

Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë janë tensionuar për shkak të kërkime për hidrokarbure gjatë vitit të kaluar që sonda turke Oruç Reis bëri në territoret detare të Mesdheut Lindor, të pretenduara nga të dyja palët.

Mosmarrëveshjet rrezikojnë një luftë të paprecedentë mes dy anëtarëve të NATO-s. Megjithatë palët kanë rënë dakord të rikthehen në bisedime teknike më 25 Janar në Stamboll. Dialogu mes krerëve të diplomacive të dy vendeve do të vijojë në Tiranë më ftesë të kryeministrit Edi Rama.

Ndërsa me Tiranën, Athina ka rënë dakord që çështjen e kufijve detarë ta zgjidhin në gjykatat ndërkombëtare. Zgjerimi i territorit detar në Jon u miratua me një shumicë të gjerë prej 284 votash nga 300 vende që ka parlamenti grek. 16 deputetët e tjerë abstenuan.

Tv Klan