Ky filmim tregon momentet kur ushtria turke nxjerr nga brigjet detare të rajonit jugor të Hatait mbetjet e raketës iraniane, që u rrëzua nga mbrojtja kundërajrore e NATO-s, teksa kalonte mbi territorin turk.
Është rasti i parë që një raketë iraniane shkel hapësirën ajrore turke dhe që për rrëzimin e saj u aktivizua mbrojtja e NATO-s. Ankaraja zyrtare thirri për sqarime ambasadorin e Iranit. Ministria turke e Mbrojtjes paralajmëroi në një deklaratë me shkrim se nuk do të hezitonte të kundërpërgjigjej ndaj çdo kërcënimi.
Turqia ka disa baza amerikane në territorin e saj në kuadër të NATO-s, por është e paqartë nëse ato ishin në shënjestër. Kjo hartë tregon trajektoren e raketës iraniane, e cila duke kaluar mbi Hatai, pasi përshkoi Irakun dhe Sirinë, mund të ketë pasur në shënjestër objektiva amerikane në Mesdheun Lindor dhe jo ato në territorin e Turqisë, vend me të cilin Irani ruan marrëdhënie miqësore.
NATO dënoi aktin, ndërsa sekretari amerikan i Luftës, Pete Hegseth, tha se do të ishte e pakuptimtë që aleanca të përfshihej në luftë kundër Iranit për një incident të tillë, duke shtuar se SHBA dhe Izraeli po ecin drejt fitores.
“Kemi nisur gjuetinë, çmontimin, shkatërrimin dhe demoralizimin e gjithë kapaciteteve të tyre për 4 ditë. Brenda pak ditësh, në më pak se dy javë, dy fuqitë ajrore më të fuqishme të botës do të kenë kontroll të plotë mbi qiellin e Iranit,” tha Pete Hegseth, sekretar i Luftës i SHBA.
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane publikoi këtë video që, sipas Hegseth, tregon fundosjen e një luftanieje iraniane për të parën herë që pas Luftës së Dytë Botërore nga një nëndetëse amerikane pranë ujërave të Sri Lankës, duke vrarë mbi 100 ushtarakë iranianë.
Ministri i Jashtëm i Katarit paralajmëroi homologun iranian, Abaz Aragçi, në telefon se do të kundërpërgjigjej ndaj çdo rakete të hedhur nga ky vend, duke mos marrë parasysh se objektiv i Teheranit janë bazat amerikane.
Mbyllja nga Irani e Ngushticës së Hormuzit për transportin e naftës nga vendet e Gjirit ka bërë që si Katari, ashtu edhe Iraku dhe vende të tjera prodhuese të ndalin prodhimin e naftës për tregjet botërore.
Në ditën e pestë të konfliktit, Irani numëron mbi 1 mijë të vrarë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
