Turqia vazhdon të dërgojë trupa ushtarake në afërsi të kufirit jugor me Sirinë, gjë që po shihet si sulm i afërt kundër forcave kurde, të cilat kanë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara por që Turqia i sheh si forcë terroriste. Banorët e zonës thonë se një sulm i tillë mund ta trazonte edhe më shumë rajonin e paqëndrueshëm.

Në shikim të parë, ngjan me një vend paqësor ku zhvillohet jetë normale.

Por, kjo qytezë kufitare në veri të Sirisë prej një kohe të gjatë jeton në frikë të vazhdueshme, që kur ushtria turke rriti kërcënimet për të pushtuar enklavën që kontrollohet nga kurdët.

Prej disa javësh, Turqia ka rritur praninë ushtarake në pjesën e saj të kufirit me Sirinë.

Njoftimet zyrtare thonë se qëllimi është largimi i forcave kurde, të njohura si Forcat Demokratike të Sirisë, e të cilat kanë luajtur rol kyç në luftën kundër organizatës terroriste Shteti Islamik.

Për të shmangur përballjet mes Turqisë që është aleat i NATO-s dhe forcave kurde, SHBA-ja ka luajtur rolin e ndërmjetësit.

“Amerikanët kanë rol vendimtar në zgjidhjen e problemit. Ne gjithmonë kemi thënë se kurdët nuk janë kërcënim për askënd. Jemi të hapur për bisedime që të gjejmë zgjidhje të problemit. Por nuk pranojmë kërcënime. Kur njerëzit tanë kërcënohen, kemi të drejtën të luftojmë dhe të mbrojmë veten”, thotë Mustafa Bali, komandant i Forcave Demokratike të Sirisë.

Turqia i sheh ata dhe krahun politik të tyre si një dorë e zgjatur e partisë së punëtorëve të Kurdistanit në Turqi, të cilën edhe Turqia por edhe SHBA-të e shohin si grup terrorist.

“Si vend fqinj, Turqia nuk do të lejonte praninë e forcave kurde në kufirin e saj. Ata mendojnë se subjekti politik Partia Demokratike e Bashkimit është pjesë e forcave kurde. Kërcënimet do të vazhdojnë derisa të ketë një marrëveshje”, thotë politikani kurd Abdullah Uje.

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan tha të premten se vendi i tij është i vendosur të shkatërrojë atë që ai e quan korridor terrorist në veri të Sirisë.

Për banorët, këto kërcënime janë të përditshme që nga fillimi i luftës civile në Siri në vitin 2011.

“Kërcënimet turke nuk janë gjë e re. Kemi jetuar me to për vite të tëra. Mendoj se Turqia dëshiron të kontrollojë pjesë të territoreve tona në mënyrë që kurdët të mos kenë qasje në kufi. Është lëvizje politike për shtrirje më të gjerë në Siri”, thotë gazetari Sherin Ibrahim.

Të tjerë thonë se Turqia nuk ka të drejtë të pushtojë një vend fqinj me pretendime të rreme.

“Justifikimet se Turqia po mbron kufirin nuk qëndrojnë. Për gati nëntë vite, as edhe një plumb apo bombë nuk është shkrepur në Turqi nga pjesa e Sirisë”, thotë Dilshad Abdo, aktivist politik.

Ky pretendim qëndronte deri javën që shkoi, kur një grup i armatosur nga Siria kreu shpërthime në Turqi duke plagosur disa civilë./VOA