Kreu i Partisë Civile në Poloni, Donald Tusk, paralajmëroi se vendi i tij ndodhet në këtë moment më pranë një konflikti të hapur se sa në çdo kohë që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Të mos kuptohemi gabim, nuk kam arsye të them se jemi në prag të luftës, por një vijë është kaluar dhe situata është jashtëzakonisht më e rrezikshme se më parë”, tha kryeministri polak gjatë fjalës së tij në parlament.

Ai shtoi se kjo situatë e ka afruar Poloninë më shumë se çdo herë tjetër drejt një përballjeje të hapur që nga Lufta e Dytë Botërore.

Tusk e bëri deklaratën gjatë një fjalimi në parlament pasi në hapësirën e saj ajrore hynë dronë rusë.

Autoritetet polake njoftuan se tre deri katër nga 19 dronët që hynë në territorin e Polonisë u rrëzuan nga avionët polakë dhe të NATO-s.

Më vonë, Ministria e Brendshme e Polonisë tha se shtatë dronë dhe mbetje të një objekti të panjohur janë gjetur nëpër vend. Një dron u gjet në provincën e Lodz, mbi 240 km në perëndim të kufirit me Bjellorusinë, nga ku dronët ishin nisur.

Dronët që hynë në Poloni ishin pjesë e sulmit ajror më të fundit ndaj Ukrainës, ku Rusia kishte lëshuar 415 dronë gjatë natës.

Liderët evropianë kanë dënuar gjerësisht këtë veprim. Kreu i NATO-s, Mark Rutte, e cilësoi shkeljen e hapësirës ajrore polake si “sjellje të papërgjegjshme”, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ky ishte një tjetër “hap përshkallëzimi”.

Kremlini nuk ka komentuar, pas një deklarate të një diplomati rus në Poloni që mohoi praninë e dronëve në hapësirën ajrore polake, sipas mediave shtetërore ruse.

/tvklan.al