Ndryshe nga Kryeministri, Sali Berisha nuk preferon të flasë me shifra kur bëhet fjalë për mandatet që thotë se do rikthejnë në pushtet demokratët pas 12 vite qëndrimi në opozitë.

“Unë nuk jap kurrë përqindje dhe numra sepse unë nuk jam profet. Ajo që bëj unë është të siguroj një mbështetje madhore kombëtare dhe ndërkombëtare në fitoren e 11 Majit”, tha Berisha.

I sigurt është se dje në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Europian, ku u diskutua procesi i përgatitjes së zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, Brukseli i dha një paralajmërim Edi Ramës.

“Dje ata kanë një paralajmërim më të fuqishmin që kanë marrë ndonjëherë, se ata po vëzhgohen, se ata do ndëshkohen. Dje pasaporta europiane e Edi Ramës, u gris. Maskat ranë”, tha Berisha.

Teksa ka nisur edhe paketimi i fletëve të votimit për diasporën Berisha premtoi se ai dhe të vetët do qëndrojnë në këmbë për një process transparent.

“Ne po e mbrojmë atë votë dhe ne do të ndjekim çdo proces të kësaj vote gjersa ajo të numërohet e tëra me transparencë”, tha Berisha.

Thotë se gjithçka është gati për çeljen zyrtare të fushatës, skenarin e së cilës preferon ta mbajë surprizë, duke e krahasuar me ceremoninë e martesës së një çifti.

 “Të gjitha suprizat janë nesër”, tha Berisha.

Tv Klan ka mësuar se kësaj radhe do ketë një skenografi krejt ndryshe, ku çelja e fushatës do paraprihet që prej orës 18:00 nga aktivitete të të rinjve demokratë.

Në hyrje të bulevardit që të çon në sheshin “Nënë Tereza” do jenë të vendosur 11-të njësha që simbolizojnë edhe numrin e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në fletën e votimit.

Tre ekranë LED, njëri në krah të Pallatit të Kongreseve, në kryqëzimin e Presidencës dhe në hyrje të sheshit do të shfaqin historikun e Partisë Demokratike.

Nga ana e organizatorëve është propozuar që të jetë i njëjti imazh i hapjes së fushatës me atë të Presidentit amerikan Donald Trump, në qendër të të cilit do të jenë të rinjtë.

Të gjithë kandidatët do të qëndrojnë të ulur në karrige dhe krahas Sali Berishës një fjalë do të ketë edhe drejtuesi i fushatës së tij Chris LaCivita.

Tv Klan

/tvklan.al