Disa ditë pasi u ekstradua drejt Shqipërisë nga Dubai, Gjykata e Posaçme ka lënë në arrest me burg Florenc Çapjen.

Kujtojmë se më 2 Maj, ai u shoqërua në aeroportin e Rinasit nën masa të rrepta sigurie.

Florenc Çapja është një nga emrat më të njohur të botës së krimit.

Emri i Florenc Çapjas doli në deklarimet e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, çka shtyu SPAK të ngrejë akuzë për 44-vjeçarin.

Konkretisht ai dyshohet se i ka ofruar rreth 200 mijë Euro Dumanit për të vrarë, Sokol Sanxhaktarin një emër të njohur për policinë në Elbasan. 

Sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, kjo vrasje e porositur nga Çapja po e parealizuar ishte dhënë pasi Sokol Sanxhaktari konsiderohej lidhje e afërt me kundërshtarin e tij, Suel Çelën.

Ndërkohë Çapja është dënuar me burg përjetë si porositës i vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit në vitin 2012 në Elbasan.

Ngjarja ndodhi teksa Gentian Beqiri ndodhej në arrest shtëpie nga gjykata e Elbasanit.

Autorët përdorën Etien Canin si personin për të hyrë brenda banesës, pasi ai ishte shok fëmijërie me viktimën. Vrasja dyshohet se u porosit për hakmarrje, pasi Gentian Beqiri akuzohej se ishte implikuar në ekzekutimin e Sokol Çapjas, në vitin 2005.

Për krimin e dyfishtë me burg përjetë është dënuar edhe Ardian Çapja dhe Olsi Leku, ndërsa Etjen Cani dhe Klajdi Dokoli u dënuan me nga 25 vite burg. Bashkëpunëtori i drejtësisë, Ervis Bardhi u dënua me 15 vite burg.

Florenc Çapja jetonte prej 10 vitesh në Emiratet e Bashkuara Arabe, më konkretisht në Dubai. Në vitin 2021 ai u arrestua me qëllim ekstradimin, por u la nën mbikëqyrjen policore. Disa muaj më vonë ai fitoi tërësisht lirinë duke u pajisur dhe me leje qëndrimi.

Çapja është personazhi i tretë i njohur i botës së krimit që ekstradohet nga Dubai, pas Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçes verës së kaluar./tvklan.al