23 shtator 2026- Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë së Shqipërisë, Maks Haxhia, konfirmoi se avokatët kanë vendosur njëzëri vijimin e bojkotit, duke kundërshtuar rregulloren e re të Gjykatës së Posaçme.

Ai tha se vendimi i bojkotit, i cili do të nisë nga e hëna, prek edhe seancat për masat e sigurisë në GJKKO.

Haxhia u shpreh se për këtë problem i janë drejtuar edhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, por se nuk kanë pasur asnjë përgjigje nga ky institucion.

Ai pohoi se gjobat e vendosura nga GJKKO-ja do të ankimohen, ndërsa qetësoi avokatët, duke thënë se edhe sikur gjobat të mbeten në fuqi, ato do të mbulohen nga Dhoma e Avokatisë.

Haxhia nënvizoi se në mbrojtje të avokatëve ka dalë edhe OSBE-ja dhe institucione të tjera ndërkombëtare.

“I jemi drejtuar edhe KLGJ-së për këtë problem dhe nuk ka pasur asnjë përgjigje. Ne duam që drejtësia të ecë përpara, që të zgjidhen problemet e individëve në Republikën e Shqipërisë. OSBE na ka dalë në mbrojtje. Edhe ndaj këtij reagimi, sërish nuk ka pasur një përgjigje nga ana e Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion.

Gjobat ne do i ankimojmë. Kemi vënë në dijeni të gjitha institucionet e drejtësisë për gjobat që na kanë vendosur. Nuk mund të prevalojë një rregullore, që nuk është për ne. Është një rregullore, që nuk përshtatet me ligjin. Edhe në rast se gjobat qëndrojnë, do i mbulojë Dhoma e Avokatisë. Ne do e ndjekim situatën deri në fund nga ana ligjore“, tha Maks Haxhia, kreu i Dhomës së Avokatisë.

Kujtojmë se avokatët kanë bojkotuar seancat gjyqësore, pas rregullores së re të GJKKO-së, që ndalon celularët në gjyqe për palën mbrojtëse dhe gazetarët. Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia kishte deklaruar dhe më herët se gjobitja s’ka bazë ligjore, pasi ligji detyron çdo anëtar të dhomës të zbatojë vendimet e saj. Për Haxhinë, rregullorja cënon dinjitetin e avokatit.

Që prej nisjes së bojkotit në datën 8 shtator, në GJKKO janë shtyrë më shumë se 103 seanca gjyqësore. Pas bojkotit, Gjykata e Posaçme është përgjigjur, duke “u hakmarrë” e duke vendosur gjoba për avokatët.

Edhe pse avokatët dhe shoqatat e gazetarëve shprehen se ndalimi i celularëve në seanca është një praktikë e gabuar, GJKKO deklaron se i qëndron kësaj rregulloreje.