Tiranë, 26 shtator 2026 – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me ish-drejtuesen e SHISH-it, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi” në kuadër të hetimeve të SPAK-ut për dosjen e Ergys Agasit. Hyseni akuzohet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “nxjerrje të sekretit shtetëror”.
Berisha e cilësoi javën e kaluar si një nga skandalet më të mëdha në historinë e Shqipërisë.
“Java që lamë pas është java e skandalit më të jashtëzakonshëm jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por e një skandali që njeh gjithsej edhe dy raste të tjera të ngjashme në historinë e botës”, tha ai.
Duke folur për hetimet ndaj Hysenit, Berisha pretendoi se arrestimi i shefes së shërbimit inteligjent për bashkëpunim me një grup kriminal dhe për nxjerrje të sekretit shtetëror është një çështje veçanërisht e rëndë. Sipas tij, Hyseni ishte emëruar në krye të SHISH-it “absolutisht jashtë çdo kriteri”.
Ai komentoi edhe faktin që masa e sigurisë ndaj Hysenit u caktua në një kohë kur ajo ndodhej jashtë Shqipërisë.
“Por ajo u kthye dhe me sa duket është kthyer për t’u dhënë restin bashkëpunëtorëve të vet që e tradhtuan, sipas saj“, theksoi ai. Berisha tha se pret zhvillime të tjera në këtë çështje dhe se ato, sipas tij, do të jenë të një rëndësie të madhe.
Nuk la pa kritikuar ashpër kryeministrin Edi Rama për fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
“Fjala e Padrinos në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ishte fjala më e turpshme që është mbajtur ndonjëherë pas fjalimeve të ministrave të jashtëm të Shqipërisë apo atyre të Koresë së Veriut.”
Berisha tha se Rama nuk e përmendi “asnjë herë të vetme fjalën Kosovë dhe fjalën UÇK apo lider të UÇK-së”.
“Të gjithë ata që duan Kosovën, panë dhe kanë parë me dokumente, fakte të pakundërshtueshme se Edi Rama është një armik i egër i Kosovës, i demokracisë.”
Ai pretendoi se Rama po përpiqet ta paraqesë Vetëvendosjen si një forcë kundër Shqipërisë.
“Pas përpjekjeve për të rrëzuar qeverinë e Kosovës me Vlora Hysenin dhe të dërguarit e tij, ai po përhap tani në Shqipëri shpifjet më të ulëta me të cilat kërkon të paraqesë Lëvizjen Vetëvendosje si një parti kundra Shqipërisë.”












Botërori 2026 
