Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestave të zhvilluara në SHBA, duke iu përgjigjur kritikëve përmes një postimi në platformën X.

Rama i cilësoi protestuesit me tone të ashpra, duke deklaruar se kundërshtimet ndaj tij nuk do ta ndalin në misionin që ai e përshkruan si çuarjen e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

“Këtyre që mbulohen me flamurin kombëtar dhe çarten rrugëve si pula histerike, u them vetëm se atë flamur e kam ngritur më lart se çka qenë kurrë ndonjëherë në sytë e botës. Kurse atyre që kujtojnë se do më ndalin me baltë, vezë dhe jargë, në misionin tim për ta çuar flamurin tonë në majën e Europës së Bashkuar, u them se nëse për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, kemi një sistem institucional që shfaq aftësi vetëpastrimi, kjo është një arritje e madhe që nuk ka rënë nga qielli po ka ardhur pikërisht si një nga rezultatet e këtij misioni!”

Në reagimin e tij, kryeministri foli edhe për luftën kundër korrupsionit dhe ndryshimet në sistemin e drejtësisë.

Rama argumentoi se Shqipëria nuk është më vendi që ishte më parë sa i përket korrupsionit dhe se këtë e vlerëson edhe Bashkimi Europian. Reagimi vjen në një klimë përplasjesh politike dhe protestash ndaj qeverisë shqiptare.

“Dhe le ta dëgjojnë e ta mbajnë mirë vath në vesh meqë kujtojnë se mposhtem unë dot me “bombat çudibërëse” që amplifikojnë në kupë të qiellit ditë e natë fjalën korrupsion:

Në një vend që është i mbytur në kënetën e korrupsionit, nuk ka luftë frontale e as rezultate konkrete kundër korrupsionit dhe atë vend e kemi jetuar ne, që të gjithë, deri kur unë me partinë time e kthyem rrotën e drejtësisë nga barazia e të gjithëve para ligjit!

Sot Shqipëria nuk është më ai vend e prandaj edhe Bashkimi Europian e çmon gjithnjë e më shumë Shqipërinë për këtë luftë, ndërkohë që pulat histerike të katundit tonë kakarisin e hedhin vezë në ajër për llogari të gjelave tallagjarë të pazarit politik e mediatik, të cilët i gënjen mendja sa një vezë, se do të më ndalin mua me llogjet e pafundme për korrupsionin që po luftohet nga vetë sistemi që po ndërtojmë, apo me sharjet e mallkimet folklorike si të këtij sqepit bashkëngjitur, që e shkruan shqipen me këmbët e pulës”, ka shkruar Rama.

/tvklan.al