02 nëntor 2026 – Ministri i Drejtësisë Toni Gogu ka reaguar pas lajmeve që qarkulluan se ai ka kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, gjatë një vizite në paraburgimin e Fierit.
Gogu thotë se me Veliajn e lidh një miqësi e vjetër dhe se shkoi për ta takuar në paraburgim për të dëgjuar nga afër ankesat e tij. Kryebashkiaku i Tiranës është shprehur kundër transferimit nga Durrësi në qendrën e paraburgimit të Fierit.
Ministri thotë se nuk beson që lajmet që kanë qarkulluar nëpër portale të jenë shpërndarë nga vetë Veliaj, dhe se ai vetë nuk do të “shqiptonte ‘mesazhe’ që i janë vënë në gojë nga palë të tjera”.
Reagimi i Toni Gogut
Më vjen thellësisht keq për të pavërtetat që janë publikuar sot lidhur me vizitën time në IEVP Fier. Po, e kam takuar Erion Veliajn të premten. Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij.
Me Erionin më lidh një miqësi shumë e hershme, të cilën e dinë të gjithë. Por dua të jem krejt i qartë: Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni. Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj “mesazhet” që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar.
Kam shkuar për të dëgjuar shqetësimet e një njeriu pas një tymnaje mediatike dhe shqetësimeve të kuptueshme të kujtdo që shqetësohet kur flitet për liri e të drejta. Rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme. Për të tjerat, koha dhe e vërteta ecin dorë për dore.
Veliaj qëndronte i izoluar në paraburgimin e Durrësit që prej shkurtit 2025 pasi GJKKO i caktoi masën “arrest me burg”. Transferimi i tij në qendrën e paraburgimit të Fierit është kryer më 28 tetor, ndërsa i pari i Tiranës reagoi nëpërmjet avokatit të tij, duke thënë se nuk ishte njoftuar paraprakisht dhe se lëvizja ishte bërë pa dëshirën e tij.
Për rastin reagoi dhe Drejtoria e Burgjeve duke komunikuar se arsyet e transferimit të Veliajt përbëjnë sekret shtetëror.
Ndaj Veliajt rëndojnë 13 akuza, mes tyre “korrupsion pasiv”, “pastrim parash”, “mosdeklarim pasurie”, “shpërdorim detyre” dhe “futja e sendeve në burg”. Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të si leje ndërtimi dhe kanë përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.












Botërori 2026 