Izraeli tha këtë të mërkurë se ka vrarë ministrin e Inteligjencës së Iranit, Esmail Khatib, në sulmin e dytë ndaj një figure të lartë udhëheqëse brenda dy ditësh. Ministri izraelit Israel Katz tha gjithashtu se Netanjahu ka autorizuar ushtrinë të shënjestrojë çdo zyrtar të lartë iranian që mund të gjendet.

Gjatë ditës ushtria izraelite goditi fushën iraniane të gazit Pars, në sulmet e para të raportuara ndaj infrastrukturës energjetike iraniane në Gjirin Persik. Parsi është sektori iranian i depozitës më të madhe të gazit natyror në botë, të cilën Irani e ndan me Katarin përtej Gjirit.

Një predhë goditi një zonë pranë termocentralit bërthamor Bushehr vonë të martën, por pa shkaktuar dëme apo të lënduar. Ushtria amerikane gjithashtu shënjestroi përgjatë vijës bregdetare në ngushticën e Hormuzit, për të ulur rrezikun ndaj transportit ndërkombëtar detar në zonë.

Komanda Qendrore e SHBA-së tha se forcat amerikane përdorën me sukses municione të shumta shkatërruese bunkerësh.

Ndërsa Irani ndërmori një sërë sulmesh hakmarrëse për vrasjen e Ali Larijanit, duke shënjestruar Tel Avivin me raketa që mbanin bomba thërrmuese.

Sulmet vranë dy persona në një lagje pranë Tel Avivit me popullsi të dendur, ku ka edhe objekte të rëndësishme ushtarake.

Izraeli akuzon Iranin se po lëshon në mënyrë të përsëritur raketa me thërrmija me përmbajtje bërthamore, të cilat shpërndahen në eksplozivë të shumtë në ajër dhe përhapen në një zonë të gjerë, duke i bërë ato të vështira për t’u kapur.

Irani shënjestroi sërish ambasadën amerikane në Bagdad dhe një bazë ushtarake australiane në Emiratet e Bashkuara. Kryeministri i Australisë, Albanese, tha se si pasojë kishte vetëm dëme materiale, pa personel ushtarak të lënduar.

Njëkohësisht Izraeli ka vijuar shënjestrimet ndaj Hezbollahut në Liban, duke shkatërruar ndërtesa apartamentesh në sulmet ajrore më intensive në kryeqytetin libanez në dekada. Të paktën 12 persona u vranë këtë të mërkurë, duke e çuar numrin total të viktimave në mbi 900, ndërkohë që mbi 800 mijë persona janë detyruar të zhvendosen nga banesat e tyre.

Tv Klan

/tvklan.al