UEFA ka parashikuar një fond prej 4 milionë eurosh për federatat pjesëmarrëse në Kampionatin Europian U-21 të vitit 2027, turne që do të organizohet në Shqipëri dhe Serbi. Por mbështetja financiare nis që në fazën kualifikuese.

Për ciklin 2025–2027, çdo federatë pjesëmarrëse në eliminatore përfiton 135 mijë euro, ndërsa skuadrat që sigurojnë kualifikimin në fazën play-off marrin edhe 25 mijë euro shtesë.

Në fazën finale, UEFA mbulon shpenzimet e udhëtimit ndërkombëtar dhe transportit për delegacione deri në 35 persona, si dhe kontribuon financiarisht për akomodimin dhe ushqimin e ekipeve.

Përveç këtyre mbështetjeve, parashikohen edhe bonuse për pjesëmarrjen dhe rezultatet sportive, të cilat përcaktohen nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s.

Ende nuk është bërë publike ndarja e detajuar e fondit prej 4 milionë eurosh mes 16 kombëtareve pjesëmarrëse dhe shuma përfundimtare që do të përfitojë secila federatë.

Për Shqipërinë, organizimi i Euro U-21 2027 përfaqëson një mundësi të rëndësishme sportive, por edhe një përfitim financiar dhe organizativ.

Europiani i kombëtares shprese do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, “Elbasan Arena” dhe “Arena e Demave” e stadiumi Kombëtar në Tiranë dhe do të organizohet nga 16 qershori deri me 3 korrik.

Klan News

/tvklan.al