Marrëdhëniet mes futbollit izraelit dhe UEFA-s janë tensionuar ndjeshëm këtë javë.
Të mërkurën, 13 gusht, para finales së Superkupës së Evropës mes Tottenham dhe Paris Saint-Germain (PSG), organizata priti në stadium nëntë fëmijë refugjatë, mes tyre dy nga Gaza, ndërsa lojtarët e PSG-së shpalosën një pankartë me mesazhin: Mjaft vrasjes së fëmijëve, mjaft vrasjes së civilëve!
Më herët gjatë javës, UEFA publikoi në rrjetet sociale një postim në kujtim të Suleiman al-Obeid, ish-futbollist nga Gaza i vrarë javën e kaluar, ndërsa priste ndihma humanitare.

Ylli i Liverpool-it, Mohamed Salah, e shpërndau postimin duke shkruar: “A mund të na tregojë dikush si, ku dhe pse vdiq?”
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, foli për herë të parë për këtë çështje në një intervistë për kanalin slloven Odembe.
I pyetur pse Rusia është e përjashtuar nga garat, ndërsa Izraeli jo, ai pranoi se kjo është një pyetje legjitime. “Në parim nuk jam për të ndaluar sportistët nga garat. Në rastin e Rusisë, ata nuk luajnë prej tre vitesh e gjysmë dhe lufta është vetëm përkeqësuar. Shumë sportistë janë kundër regjimit, por nuk mund të luajnë. Jam kundër mohimit të së drejtës për të marrë pjesë,” tha Čeferin.

Ai theksoi se për momentin, Izraeli mund të luajë në kompeticionet e UEFA-s, por nuk e përjashtoi ndryshimin e vendimit në të ardhmen.
Lidhur me pyetjen e Salah-ut, Čeferin tha se nuk meriton përgjigje publike: “I dërgova një letër familjes së Al-Obeid-it dhe Federatës Palestinaze. Në një tweet nuk mund të shkruash gjysmë faqe për rrethanat. Çfarëdo që të bëjmë, një palë do të jetë e pakënaqur. Ne do të zgjedhim gjithmonë atë që mendojmë se është e drejtë“, u shpreh ai./tvklan.al












Botërori 2026 
