UEFA dhe CONCACAF kanë nisur bisedimet për krijimin e një turneu të përbashkët të Ligës së Kombeve, ku do të merrnin pjesë të gjitha 96 kombëtaret e Evropës, Amerikës së Veriut, Amerikës Qendrore dhe Karaibeve, në një plan që i hap sfidë të drejtpërdrejtë FIFA-s.
“The Guardian” raporton se, pasi u bashkuan për të kërkuar largimin e Gianni Infantinos, në dritën e polemikave rreth shitjes së të drejtave të Kupës së Botës, dy konfederatat tani po punojnë për krijimin e një turneu të tyre, që do të zhvillohej çdo dy vjet. Turneu mund të nisë që në vitin 2028.
Edhe pse diskutimet janë ende në fazat e para, kuptohet se kompeticioni i ri do të ndiqte të njëjtin format me disa liga që përdoret aktualisht në Nations League.
Pas fazës së ligës do të zhvillohej një fazë me eliminim direkt, e ndjekur nga një turne Final Four, i cili do të përcaktonte kampionin.
Liga A do të përfshinte kombëtaret më të forta të Evropës, si Spanja, Franca, Anglia dhe Gjermania, të cilat do të luanin ndeshje konkurruese në ligë kundër kombëtareve më të renditura të Amerikës Qendrore dhe Veriore, si Meksika, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.
Meqë diskutimet serioze kanë nisur vetëm gjatë javëve të fundit, numri i ekipeve në secilën ligë ende nuk është përcaktuar. Nuk dihet ende nëse ky kompeticion kërkon miratimin e FIFA-s, por në këtë pikë ku ndodhet institucioni më i lartë i futbollit botëror, UEFA nuk e konsideron të rëndësishme dritën jeshile.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
