Kievi i propozon Moskës një raund të ri bisedimesh për paqen, me qëllim rigjallërimin e negociatave me nismën e Shteteve të Bashkuara që u ndalën muajin e kaluar.

Përmes një mesazhi televiziv drejtuar popullit ukrainas, presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi se kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov, i ka dorëzuar palës ruse një ftesë për një takim, javën e ardhshme.

“Duhet bërë gjithçka për të arritur paqen. Pala ruse të heqë dorë nga shmangia ndaj marrjes së vendimeve”.

Muajin e kaluar, gjatë mandatit si ministër i Mbrojtjes, Umerov ka drejtuar delegacionin ukrainas në dy raundet e bisedimeve të Stambollit.

Ngërçi në bisedime lidhet me këmbënguljen e Rusisë që Ukraina të pranojë humbjen e 20% të territorit të saj, të pushtuar nga Rusia, veçanërisht prej vitit 2022, çka Zelensky e refuzon.

Presidenti amerikan Donald Trump ka ndryshuar qëndrim, duke shprehur zhgënjim me homologun rus Vladimir Putin, i cili sipas tij nuk po shpreh vullnetin e pritshëm për paqe. E vetmja arritje është shkëmbimi i qindra të burgosurve mes palëve.

Sakaq, rusët nuk e kanë ulur intensitetin e sulmeve ndaj Ukrainës. Një ditë më parë, 7 persona u vranë dhe 28 u plagosën në një valë sulmesh në Zaporizhia, Harkiv, Sumi e 3 rajone të tjerë.

Tv Klan

/tvklan.al