Ukraina ka goditur urën që lidh Krimenë me territorin rus ndërsa Moska ka bombarduar ura dhe objekte të tjera infrastrukturore në kryeqytetin ukrainas Kiev.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë se një pjesë e harkut rrugor të urës së Kercit është shembur.

Autoritetet ruse nuk kanë konfirmuar përmasat e dëmeve, ndërsa guvernatori i emëruar nga Moska në Krime bëri të ditur se dy persona humbën jetën dhe qarkullimi mbi urë u pezullua.

Presidenti ukrainas Zelenski, konfirmoi sulmin duke e cilësuar atë si përgjigje ndaj goditjeve ruse mbi infrastrukturën ukrainase.

Ndërkohë Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ka rrëzuar 1,441 dronë ukrainas në 22 rajone, duke tejkaluar rekordin e një dite më parë.

Në Kiev, autoritetet raportuan goditje ndaj dy urave mbi lumin Dnjepër, si dhe dëmtime të sistemit të metrosë.

Përshkallëzimi vjen pavarësisht përpjekjeve diplomatike të ndërmjetësuara nga SHBA-të. Bisedimet e fundit në Abu Dhabi sollën dakordësi për një shkëmbim të madh të burgosurish, por pa përparim të rëndësishëm për çështjen e territoreve.

/tvklan.al