Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Kievi tashmë kontrollon rreth 1000 kilometra katrorë të rajonit të Kurskut. Kjo deklarate pasoi atë të guvernatorit rus të këtij rajoni, Alexei Smirnov, i cili i deklaroi presidentit Putin se trupat ukrainase tani kontrollojnë vetëm 28 vendbanime të rajonit të Kurskut.

Sipas Zelenskyt ndërhyrja e ushtrisë së tij u realizua në zonat nga ku ishte sulmuar 2,100 herë nga ushtria ruse që nga data 1 Qershor.

“Rusia u solli luftë të tjerëve, tani po kthehet në shtëpi. Ukraina gjithmonë ka dashur vetëm paqe dhe ne sigurisht do të sigurojmë paqen,” tha ai.

Trupat ukrainase u panë duke hequr flamujt rusë në fshatrat në rajonin e Kurskut.

SHBA-të ndërkaq janë thellësisht të shqetësuara nga raportet se Irani po planifikon të dërgojë qindra raketa balistike në Rusi.

Zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, u tha gazetarëve këtë pasdite se një veprim i tillë do të përfaqësonte një përshkallëzim dramatik.

Rreth 121,000 rusë janë larguar nga shtëpitë e tyre në rajon, ndërsa rreth 59,000 mbeten ende në zonë. Rusia pretendon se forcat ukrainase kanë përdorur predha që përmbajnë armë kimike gjatë ndërhyrjes ushtarake.

Putin tha se sulmi më i madh i Ukrainës në territorin rus që nga fillimi i luftës kishte për qëllim përmirësimin e pozicionit negociator të Kievit përpara bisedimeve të mundshme të paqes dhe ngadalësimin e avancimit të forcave ruse por nuk do të kishte sukses.

Reuters publikoi imazhet satelitore që tregojnë dëme të bëra në stacionin e matjes së gazit pranë kalimit të kufirit Sudazh midis Rusisë dhe Ukrainës.

Klan News