Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky refuzoi propozimin franko-britanik për dislokimin e një misioni paqeruajtës të OKB-së në rast të një armëpushimi me Rusinë.

“Për sa i përket OKB-së, me gjithë respektin, por nuk mund të na mbrojë nga pushtimi ose dëshira e Putinit për t’u rikthyer. Ne nuk e shohim OKB-në si një alternativë qoftë për dërgimin e një kontigjenti ushtarak apo për garancitë e sigurisë. Marrëveshja e plotë e armëpushimit është në tryezë për një jave. Nuk ka armëpushim sepse Putini nuk e pranon. Pra, presioni ndaj Rusisë është i nevojshëm”, tha Zelensky.

Më herët Ukraina ka pranuar variantin e një misioni trupash europiane.

Javën e ardhshme do të zhvillohet në Jeddah të Arabisë Saudite një tjetër raund bisedimesh midis Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe Zelensky pret që bisedimet të përfundojnë me rezultat pozitiv. Dhe sipas presidentit Zelensky, “rezultati varet nëse palët e duan realisht armëpushimin apo thjesht bëjnë sikur”.

Në krah të Zelensky-t gjatë një konference për mediat, presidenti çek Petr Pavele quajti Putinin cinik që nga njëra anë diskuton armëpushim dhe nga ana tjetër ndërmerr sulme të reja ndaj Ukrainës.

Ndërsa Zelensky pranoi propozimin amerikan për një armëpushim të plotë, ai shtoi se në negociatat e ardhshme, Ukraina do të paraqesë një listë të objekteve të infrastrukturës energjetike ruse të cilat do të përjashtohen nga sulmet me dron. Delegacioni ukrainas në bisedimet e ardhshme do të drejtohet nga ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov.

Klan News