Forcat ajrore ukrainase kanë shkatërruar një tjetër urë strategjike mbi lumin Seym në rajonin Kursk të Rusisë, duke kufizuar kapacitetin e furnizimit të ushtrisë ruse që kundërshton avancimin ukrainas.

“Drejtimi në Kursk. Minus një urë më shumë! Aviacioni i Forcave Ajrore të Ukrainës vazhdon të privojë armikun nga aftësitë logjistike me sulme ajrore precize,” tha Mykola Oleshchuk në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Disa blogerë ushtarakë rusë, bënë të ditur se ura ishte dëmtuar rëndë. Ukraina ka të ngjarë të marrë kontrollin në ditët në vijim të një ure tjetër strategjike, mbi lumin Psyol – kyç për avancimin e mëtejshëm të forcave të Kievit ose për mbajtjen e mbrojtjes.

Zelenskiy falënderoi forcat ukrainase të përfshira në operacionin Kursk dhe në frontin lindor dhe u kërkoi aleatëve të vendit të shpejtojnë dhënien e ndihmës ushtarake të premtuar.

“Operacioni ynë në rajonin e Kurskut po i shkakton ende humbje ushtrisë ruse dhe shtetit rus, industrisë së tyre të mbrojtjes dhe ekonomisë së tyre. Tani është detyra jonë kryesore të shkatërrojmë sa më shumë potencial luftarak rus. Kjo përfshin krijimin e një zone tampon në territorin e agresorit në rajonin e Kurskut,” tha Presidenti Volodymyr Zelenskiy në një fjalim.

Aktualisht Kievi ka kapur më shumë se 80 vendbanime në mbi 1,150 km katrorë në Kursk që nga fillimi i një sulmi të befasishëm përtej kufirit më 6 gusht. Ndërkaq Ministria ruse e emergjencave publikoi video që tregonin civilët e evakuuar nga rajoni i Kurskut duke mbërritur në qytete të ndryshme në të gjithë Rusinë jugore.

Sipas ministrisë, grupi i të evakuuarve u dërgua në rajonet e Saratov, Samara dhe Tambov, shumë prej tyre të moshuar. 174 qendra akomodimi të përkohshëm janë ngritur në 24 rajone ruse ku gjetën strehim mbi 10 mijë të evakuuar, përfshirë tre mijë fëmijë. Autoritetet në rajonin e Kurskut të Rusisë kanë evakuuar dhjetëra mijëra njerëz nga zonat kufitare me Ukrainën pasi forcat e Kievit nisën sulmin gati dy javë më parë. Zyrtarët rusë kanë thënë se rreth 200,000 njerëz janë evakuuar pas sulmit.

Ndërkaq Këshilltari i Presidentit rus për Punët e Jashtme Yuri Ushakov ka deklaruar se Moska qëndron e hapur për dialogun me Kievin dhe fillimi i negociatave me Ukrainën varet nga situata në fushën e betejës, duke përfshirë ngjarjet që po zhvillohen në rajonin e Kurskut.

Klan News