24 nëntor 2026 – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi se Kievi ishte përgjegjës për sulmin me dron të së shtunës ndaj një anijeje mallrash ruse në Gjirin e Finlandës.
Zelensky deklaroi për Bloomberg se Ukraina veproi siç duhet dhe theksoi se çdo anije që mban flamur rus dhe çdo mjet që transporton armë ose mallra të sanksionuara përbën një objekt legjitim, edhe në ujëra neutrale. Megjithatë, presidenti ukrainas theksoi se anija u godit në ujëra territoriale ruse.
Anija që u godit, “Sparta II”, është një anije mallrash me flamur rus, në pronësi të një kompanie ruse transporti detar që ofron shërbime logjistike për Ministrinë ruse të Mbrojtjes.
Ndërkohë, Norvegjia, një mbështetëse e fortë e Kievit, i bëri thirrje Zelenskyt të tregojë kujdes në operacione të tilla.
Ministri norvegjez i Mbrojtjes tha se po zhvillohet një dialog me Ukrainën lidhur me “nevojën për stabilitet në zonat e tyre të afërta”.
Anije finlandeze, estoneze dhe ruse morën pjesë në një operacion të përbashkët shpëtimi për të shuar zjarrin, ndërsa më pas një anije ruse e tërhoqi mjetin lundrues sërish në ujërat ruse.
Pas sulmit në Gjirin e Finlandës, Ukraina goditi me dronë edhe një anije ushtarake dhe një anije mallrash ruse në ujërat libiane. Sulmi ngjalli shqetësime se lufta mund të përhapet përtej rajonit, por ministri i Jashtëm ukrainas theksoi se ky ishte një akt legjitim vetëmbrojtjeje, pas kritikave të shprehura nga qeveria në Tripoli.
Andrii Sybiha deklaroi se “Ukraina nuk po e ‘tërheq’ askënd në luftë dhe as nuk po e ‘zhvendos’ luftën diku tjetër” dhe theksoi se veprimet e Kievit nuk kanë për qëllim të dëmtojnë Libinë apo popullin e saj.
Ndërkohë, Rusia ka vazhduar sulmet e saj ndaj Ukrainës, duke vrarë dy persona në Zaporizhzhia dhe duke plagosur rreth 40 të tjerë, mes tyre edhe fëmijë.
Sipas autoriteteve ukrainase, sulmi shënjestroi pallate banimi, shtëpi private, infrastrukturë transporti dhe automjete.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
