Në Stamboll po zhvillohet raundi i dytë i bisedimeve të drejtpërdrejta për paqen mes Kievit dhe Moskës.

Delegacionet nga të dyja palët ndodhen në takimin që po zhvillohet në një hotel luksoz, një ndërtesë që dikur i përkiste administratës perandorake osmane. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski shprehu më herët pesimizmin se mund të arrihen rezultate. Sipas tij, Kremlini do të bëjë gjithçka që ky raund të dështojë.

Moska ka gati kushtet për arritjen e paqes, që pritet t’i parashtrojë në bisedime, por që nuk i ka bërë publike paraprakisht. Është folur se pritet të kërkohet një traktat që garanton mosanëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe njohjen e rajoneve ukrainase të aneksuara nga Rusia si pjesë e saj territoriale.

Të dielën, sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun rus, Sergei Lavrov. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Rubio kërkoi bisedime të vazhdueshme deri në arritjen e paqes.

Ukrainasit shkojnë në këto bisedime me pozita të forcuara nga sulmi i të dielës me dronë ndaj flotës ajrore bërthamore ruse në disa qytete të Rusisë, ku besohet se u dëmtuan 40 avionë, me vlerë 7 miliardë dollarë.

Tv Klan

/tvklan.al