Banorët e Kievit reaguan pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump se Ukraina duhet të zëvendësojë presidentin Zelensky.

Duke folur për Reuters, disa prej tyre thanë se vendi duhet të vendosë vetë për të ardhmen e tij politike, ndërsa lufton kundër Rusisë.

Sabina, një mësuese e shkollës fillore, tha se problemi i vërtetë nuk ishte udhëheqja e Ukrainës, por presidenti rus Putin, që nisi luftën.

“Ne jemi të bashkuar, por edhe të lodhur. Megjithatë, po qëndrojmë të palëkundur. Sepse, në të vërtetë, problemi nuk është presidenti ynë. Problemi është presidenti që e nisi këtë luftë kundër nesh. Le ta zëvendësojnë atë.”

Të tjerë theksuan se mbajtja e zgjedhjeve gjatë kohës së luftës nuk ishte as praktike dhe as e lejuar sipas ligjit ukrainas, dhe i cilësuan deklaratat e Trump si një përpjekje të padëshiruar nga ana e një partneri të huaj për të ndërhyrë në punët e brendshme të Ukrainës.

“Askush nuk ka të drejtë të na thotë se çfarë të bëjmë, veçanërisht duke qenë se zgjedhjet nuk mund të mbahen gjatë kohës së luftës. Pra, për ta thënë me edukatë, kjo nuk është thjesht diçka e keqe; është tradhti. Sipas mendimit tim, është një tradhti nga ana e partnerëve tanë.”

Deklaratat e presidentit amerikan u pritën ashpër nga Kievi, teksa Rusia nuk i ka ndalur sulmet e saj dhe ka vrarë dhjetëra persona gjatë kësaj jave.

Para se të bënte deklaratat për Zelenskyn, Donald Trump njoftoi marrëveshje me Putinin për importin e naftës ruse në Shtetet e Bashkuara. Lideri ukrainas e kritikoi vendimin dhe tha se kjo nuk është mënyra se si partnerët duhet të sillen me njëri-tjetrin.

Klan News

/tvklan.al