Çdo vit gjithnjë e më pak po mbillet grur në tokat e Myzeqesë.

Sipërfaqet po zvogëlohen duke u zëvëndësuar në kultura të tjera bujqësore.

Gruri këtë vit sipas fermerëve është mbjellë në 70% të rasteve për përdorim familjar. Duke mos gjetur treg për shitje dhe çmimi është nën kosto, ata thonë se prodhimin do ta mbajnë për sigurimin e bukës dhe ushqim për kafshët.

Rendimenti është i kënaqshëm për shkak të shirave të rënë në kohën e duhur, por rritja e kostos së prodhimit çdo vit, i detyron fermerët të mbjellin gjithnjë e më pak.

Këtë vit është rritur me 200 lekë për dylym pagesa për autokombajnat. Nga 1300 lekë një vit më parë, sot një fermer do të paguajë 1500 lekë për dynym për korrjen. Për shkak të çmimeve të rritura tokat e grurit po mbillen me elb.

Kultivuesit pohojnë se elbi po shitet me 3500 lekë kuintali, ndërkohë që për grurin, ende nuk ka një çmim këtë vit sesa do të shitet. Një vit më parë një kv grur u shit me 2500 lekë ndërsa pikat e grumbullimit akoma nuk kanë përcaktuar çmimin.

Në këto kushte disa nga fermerët po e magazinojnë nëpër shtëpitë e tyre për ta shitur më vonë nëse çmimi pëson rritje.

Sipas statistikave të drejtorisë rajonale bujqësore në Lushnje, për vitin 2024 i gjithe qarku i Fierit kishte të mbjellë 11058 ha, ndërsa në 2025 u mbollën 6982 ha.

Nëse edhe gruri i këtij viti nuk shitet pas korrjeve, fermerët kanë paralajmëruar se do të lënë tokat pa mbjellë. Shumë sipërfaqe që dikur ishin toka buke, sot janë lënë djerrë.

Klan News

/tvklan.al