Ulqini hapi dyert e edicionit jubilar të 25-të të panairit të librit, një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në Mal të Zi, pjesë e të cilës ishte edhe kreu i shtetit shqiptar.

Presidenti Bajram Begaj e konsideroi ndër ngjarjet më të rëndësishme për promovimin e librit, gjuhës, dialogut ndërkulturor dhe forcimit të lidhjeve mes vendeve të rajonit.

“Historia jonë ka vlerësuar me të drejtë njerëzit e qëndresës, të sakrificës dhe të trimërisë. Për shumë kohë, atyre iu desh të mbronin vendin, lirinë, gjuhën dhe të drejtën për të qenë vetvetja. Sot nuk mjafton të jesh vetëm krenar për historinë. Duhet të jesh i përgatitur për të ardhmen. Pikërisht këtu fillon rëndësia e librit. Libri nuk na jep vetëm informacion. Ai na mëson të përqendrohemi, të pyesim e të mos pranojmë çdo gjë të mirëqenë. Na mëson ta dëgjojmë edhe një mendim tjetër dhe të kuptojmë se bota nuk fillon e nuk mbaron me përvojën personale”, tha Begaj.

Kreu i Shtetit vlerësoi se libri duhet të trajtohet si një përparësi kombëtare dhe se kujdesi për gjuhën e kulturën është përgjegjësi e rëndësishme e shtetit shqiptar.

“Për ne, libri ka edhe një rëndësi tjetër: ai mban gjallë dhe pasuron gjuhën, traditën, kulturën dhe identitetin tonë shqiptar. Gjuha nuk ruhet vetëm se e kemi trashëguar. Ajo ruhet kur përdoret mirë, kur shkruhet, kur lexohet dhe kur u përcillet fëmijëve. Ajo pasurohet nga autorët, përkthyesit, mësuesit, studiuesit, gazetarët dhe nga të gjithë ata që punojnë me fjalën”, tha Begaj.

Gjatë qëndrimit në Ulqin Presidenti Begaj u takua edhe me përfaqësues të faktorit politik në Mal të Zi. Kreu i Shtetit shprehu besimin se punët e nisura në Komunat e Ulqinit dhe Tuzit do të vijojnë të jenë urë lidhese mes dy vendeve.

/tvklan.al