12 nëntor 3036- Në total janë 53 vende dhe organizata, mes tyre edhe Turqia, që i kanë bërë thirrje Izraelit të garantojë hyrjen e menjëhershme dhe pa pengesa të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, në një kohë kur përkeqësimi i kushteve atmosferike dhe mungesa e strehimit po shtojnë rrezikun për jetën e banorëve.
Deklarata e përbashkët u prezantua në selinë e Kombeve të Bashkuara nga Sarah MacIntosh, përfaqësuesja e përhershme e Mbretërisë së Bashkuar në OKB.
Thirrja është udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar, Katari dhe Jordania dhe mbështetet nga 53 vende e organizata.
Gjatë konferencës për media, MacIntosh theksoi se plani gjithëpërfshirës i paqes, i miratuar përmes Rezolutës 2803 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, parashikon dërgimin e menjëhershëm të ndihmave humanitare në Gaza, në një sasi të paktën sa ajo e përcaktuar në marrëveshjen e 19 janarit 2025. Megjithatë, sipas saj, ky angazhim ende nuk është përmbushur.
Ajo nënvizoi se armëpushimi i arritur në tetor 2025 krijoi mundësi për përmirësimin e situatës humanitare, por kjo kërkon vullnet politik dhe masa konkrete.
Përfaqësuesja britanike paralajmëroi se ardhja e dimrit po e bën edhe më të vështirë gjendjen e popullsisë në Gaza.
Shumë banorë vijojnë të jetojnë pa strehim të përshtatshëm, duke u përballur me rrezikun e hipotermisë, infeksioneve të frymëmarrjes, sëmundjeve që përhapen përmes ujit të ndotur dhe problemeve të tjera shëndetësore që mund të parandalohen.
Në deklaratë, 53 nënshkruesit i kërkuan gjithashtu qeverisë së ardhshme izraelite që të garantojë kalimin e ndihmave përmes të gjitha pikëkalimeve kufitare dhe rrugëve tokësore që mund të përdoren për furnizimin e territorit palestinez.
Një tjetër kërkesë lidhet me rikthimin e sistemit të referimit mjekësor, i cili u mundëson pacientëve nga Gaza të marrin trajtim në spitalet e Jerusalemit Lindor dhe Bregut Perëndimor.
MacIntosh kërkoi gjithashtu nisjen e hetimeve penale, transparente dhe të përshpejtuara për sulmet ndaj punonjësve të shëndetësisë dhe personelit humanitar.
Ajo theksoi edhe nevojën për të lejuar hyrjen në Gaza të delegacioneve të nivelit të lartë ndërkombëtar dhe gazetarëve.
Në përfundim, vendet dhe organizatat nënshkruese u zotuan të mbështesin operacionet humanitare, duke vënë në dispozicion ndihma për përballimin e dimrit.
Mbështetja do të përfshijë strehim, furnizime me ujë, përmirësimin e kushteve sanitare dhe pajisje mjekësore, me synimin për të lehtësuar vuajtjet e civilëve dhe për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve.
/tvklan.al












Botërori 2026 