Në Ditën Botërore të Mjedisit, UNESCO ka caktuar 14 rezerva të reja të biosferës, ku pjesë e listës është edhe Liqeni i Shkodrës. Në këtë vendim të UNESCO-s, rezervat e reja të biosferës janë përcaktuar në Shqipëri, Algjeri, Aruba, Kamerun, Kanada dhe shumë shtete të tjera.

Rezervat e biosferës së UNESCO-s janë territore me vlera të jashtëzakonshme ekologjike, ku njerëzit dhe natyra rriten në harmoni me njëri-tjetrin, duke ruajtur diversitetin biologjik dhe kulturor, duke çuar përpara zhvillimin e qëndrueshëm dhe duke lidhur komunitetet në një rrjet global. Që nga viti 1971, rezervat e biosferës kanë luajtur një rol qendror në misionin mjedisor të UNESCO-s.

Sa i përket Liqenit të Shkodrës, dosja e nominimit u finalizua në kuadër të projektit “Zona e Pellgut Ujëmbledhës të Liqenit të Shkodrës, një Rezervë Ndërkufitare e Biosferës”, financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri-Mali i Zi. Në vetëm 36 muaj, u përgatitën 3 dosje aplikimi për UNESCO-n: dy kombëtare dhe një ndërkufitare, duke kërkuar statusin e Rezervës së Biosferës për liqenin më të vjetër të Ballkanit dhe ekosistemet e tij ujore.

Pellgu i Liqenit të Shkodrës përfshin vetë liqenin, daljen e tij përmes lumit Buna, lumenjtë Cem dhe Kir me degët e tyre, si dhe bashkimin e Drinit me Bunën. Së bashku, këto rrugë ujore krijojnë një peizazh të veçantë dhe dinamik që mishëron historinë e njerëzve dhe të vendit, duke reflektuar ndërveprimin e madh të njerëzimit dhe natyrës.

Kjo përfshirje e Liqenit të Shkodrës në listën e UNESCO-s si rezervë e biosferës bën që potenciali i liqenit të jetë i jashtëzakonshëm jo vetëm për zonën ku ndodhet, por edhe më gjerë.

Klan News

/tvklan.al