Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, diplomoi brezin e 13-të të studentëve. Ky Universitet është tashmë,  një nga institucionet më elitare në vend me mbi 14 mijë të diplomuar që nga themelimi i tij, të punësuar në administratën publike dhe sektorin privat, brenda dhe jashtë vendit.

Mes emocioneve, themeluesi i Universitetit Mesdhetar, Anastas Angjeli nxiti të rinjtë të punojnë fort duke kontribuar në të ardhmen europiane të vendit.

Anastas Angjeli, President i Universitetit Mesdhetar: Në vitin 2030 Shqipëria pritet të jetë pjesë e BE-së, me të drejta të plota dhe ju duhet te jeni pjesë e këtij procesi, sepse me ju, me kontributin tuaj ky qëllim do të bëhet realitet. Ju duhet të vazhdoni të studioni, në programet master e doktoraturë dhe në ngritjen e mëtejshme profesionale, për arsye se jetojmë në një botë që ndryshon me shpejtësi dhe ju duhet të bëheni pjesë e këtij ndryshimi, ta përqafoni atë. Të dashur maturantë, bëhuni pjesë e familjes së Universitetit Mesdhetar.

E ftuar në ceremoni, Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj, inkurajoi të rinjtë për ndërmarrjen e iniciativave dhe vlerësoi stafin akademik të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.

Delina Ibrahimaj, ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit: Dua të falenderoj të gjithë stafin drejtues, të gjithë stafin akademik për të gjithë punën e jashtëzakonshme që ata kryejnë e cila nuk është një punë, nuk është një biznes si çdo punë tjetër, por është një kontribut për të krijuar një shoqëri më të mirë, për të formuar individë që do të arrijnë rezultate të larta.

Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Ardian Civici dhe koordinatori i Fakultetit të Shkencave Mjekësore në këtë Universitet, Gent Stroni, gjithashtu nxitën studentët të mos ndalin me të mësuarin gjatë gjithë jetës. Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë ka 4 fakultete dhe 50 programe studimi.

Klan News