Neurokirurgu i njohur Mentor Petrela ishte i ftuar nderi në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë. 

Profesor Petrela pati një bashkëbisedim të ngrohtë me studentët dhe stafin e pedagogëve të Universitetit Mesdhetar, duke iu përgjigjur pyetjeve mbi eksperiencën e tij të jashtëzakonshme në krye të shërbimit të Neurokirurgjisë, ku edhe ka dhënë kontribut të madh. Në një panel me mjekë e drejtues të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, doktor Petrela u prezantua nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore në UMSH, Prof.Dr.Mihal Tase, një tjetër mjek i njohur.

Prof.Petrela dha  këndvështrimin e tij mbi arsyet pse mjekët po largohen nga Shqipëria dhe një sërë këshillash për brezin e ri të mjekëve duke theksuar se ky profesion kërkon pasion dhe kualifikim të vazhdueshëm të gjithë ekipit mjekësor.

“Vendimet e mira merren nga eksperienca. Por eksperienca merret nga vendimet e gabuara. Kirurgu i mirë nuk është ai që ecën, është ai që di ku ndalon dhe e dyta është të mos kesh deluzionin e vetëmashtrimit: që unë jam më i miri.”

Profesor Petrela mbajti një ligjëratë për kontributin e mjekëve hebrenj në Shqipëri duke iu referuar hulumtimeve personale në arkivën e spitalit “Nënë Tereza” dhe asaj të shtetit ku ekzistojnë dokumenta autentike për kontributin e këtyre mjekëve në periudhën 1933-1938, kur Shqipëria udhëhiqej nga mbreti Zog.

Bëhet fjalë për profesorët e nderuar Lehman e Shlesinger, të ardhur nga Viena për t’i shpëtuar nazistëve. Mjekë të cilët kanë ofruar eksperiencën dhe njohuritë e tyre të jashtëzakonshme duke rritur cilësinë e shërbimit. Profesor Petrela, theksoi se shpesh historia është shkruar për interesa të caktuara, por askujt nuk i duhet mohuar kontributi i dhënë në mjekësinë shqiptare.

Klan News