Në kuadër të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë organizoi një simpozium shkencor kushtuar rëndësisë historike të kësaj ngjarjeje dhe partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Aktivitetin e hapi Presidenti i Universitetit Mesdhetar, Prof. Dr. Anastas Angjeli, i cili e vlerësoi SHBA-në si pikën kryesore për ndërtimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri.

“Për Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara kanë qenë jo vetëm aleati politik strategjik më i rëndësishëm, por edhe një pikë referimi simbolike për ndërtimin e një sistemi të drejtë politik, demokratik, institucional dhe ekonomik. Në një botë të tensionuar, për një vend të vogël me burime të kufizuara, siguria nuk është vetëm çështje ushtarake, por edhe çështje aleancash. Mbështetja amerikane ndaj reformave ligjore, reformës në drejtësi, luftës kundër korrupsionit, forcimit të institucioneve dhe konsolidimit të demokracisë funksionale është pjesë e të njëjtit vizion: që Shqipëria të jetë pjesë e një hapësire ku liria, barazia para ligjit dhe perspektiva evropiane nuk janë slogane, por kushte reale zhvillimi. Për një shoqëri si kjo jona, ende në kërkim të një modeli të plotë të mirëqenies dhe drejtësisë sociale, 4 Korriku mbetet jo vetëm një simbol historik amerikan, por një horizont i përbashkët aspiratash”.

Simpoziumi vijoi me referatin e Prof. Dr. Paskal Milos mbi historikun e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe analizën e Prof. Dr. Arben Cicit për vizitën historike të Presidentit George W. Bush në Tiranë. Ky aktivitet jubilar u përmbyll me një ekspozitë tematike, ku u pasqyruan dokumente dhe materiale historike të rrugëtimit të përbashkët shqiptaro-amerikan.

Klan News

/tvklan.al