Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, doli në konferencë për mediat këtë të mërkurë me kryeprokurorin e Barit, Roberto Rossi, Drejtorin e Antimafies italiane, Michele Carbone, dhe zyrtarë të tjerë të policisë nga të dyja vendet.
Dumani theksoi se përmes operacionit ndërkombëtar “Ura”, u godit një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri. Ky i fundit sipas tij, merrej kryesisht me trafikimin e drogave të forta dhe pastrimin e parave.
“Ky operacion, është dëshmi e qartë e asaj që mund të arrihet kur institucionet e drejtësisë dhe strukturat e zbatimit të ligjit bashkëpunojnë me përkushtim. Një falenderim të veçantë për Eurojust dhe Europol për mbështetjen gjatë hetimeve të kryera, me Prokurorinë e Barit”, tha Dumani.
Në kuadër të këtij operacioni, janë lëshuar 52 urdhër-arreste në Shqipëri e Itali, prej të cilave 40 janë ekzekutuar. “Ura” u finalizua në orët e para të kësaj të mërkure, si rezultat i një hetimi të zhvilluar me skuadër të përbashkët hetimore mes SPAK dhe prokurorisë italiane. 21 prej masave të sigurisë u lëshuan në Shqipëri.
Në kuadër të operacionit u ndalua në Fier administratori i një shoqërie transporti pasagjerësh me autobus, ndërsa urdhërarrest u lëshua edhe për një avokat në Durrës dhe një ish-punonjës policie.
Për ekzekutimin e tyre u zhvillua operacion në disa qytete të Shqipërisë. Procedimi penal u regjistrua për akuza të trafikut të lëndëve narkotike, organizatë kriminale dhe shpërdorim të detyrës dhe pastrim parash.
Nga hetimet ka rezultuar se organizata kishte ngritur një rrugë të trafikut të kokainës dhe heroinës nga vende të Ballkanit, me qendër veprimi në Puglia dhe që shpërndahej në Europën Veriore.
Hetimet në Shqipëri u ndoqën nga prokurori i posaçëm Vladimir Mara.
Ky i fundit dha po ashtu detaje rreth këtij operacioni. Kështu, sipas prokurorit Mara, gjatë këtij operacioni janë zbuluar 30 episode të trafikimit të lëndëve narkotike në Itali dhe më pas 10 episode të tjera në Shqipëri, në Holandë dhe disa vende të tjera të BE. Gjatë hetimit janë sekuestruar 3 milionë euro në kesh, 3 restorante në Durrës, një bar kafe, 6 shoqëri tregtare dhe 1 televizion në qytetin e Vlorës.
/tvklan.al