Ideja e kryeministrit Edi Rama për të krijuar një shtet sovran të Urdhrit Bektashi ka krijuar reagime të shumta. E pikërisht për këtë çështje u pyet këtë të mërkurë edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një konference për shtyp me gazetarët.

Ai tha se komuniteti bektashinj janë nder dhe krenari për shqiptarët. Megjithatë idenë e kreut të qeverisë e konsideron si një thikë ndaj Shqipërisë. Sipas Berishës, Rama synoi të “luajë letrën e fundit të ndasive dhe armiqësive ndërfetare”.

“Shqipëria është shtet laik dhe ka një kushtetutë unitare. Këtë e bëjnë vetëm armiqtë e Shqipërisë. Këtë e duan vetëm armiqtë e Shqipërisë. Edi Rama nxorri fytyrën e vet. Nuk kam dyshuar kurrë se është armik i shqiptarëve. Shprehja armik është shprehje nganjëherë vulgare, por unë e kam thënë sa herë ai ka tradhtuar dhe mbajtur qëndrim armiqësor ndaj kombit, kurse kjo është një thikë e tmerrshme. Ai synoi të luajë letrën e fundit të ndasive dhe armiqësive ndërfetare. Ai synoi të fusë hundët në besimin mysliman për qëllime mafioze antishqiptare”, tha Berisha.

Sipas tij, Rama e ka bërë këtë i shtyrë nga Beogradi.  

Ndërkohë në lidhje me këtë çështje gjatë ditës së sotme ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama i cili tha se komentet që ka ngjallur ideja e tij i kanë tejkaluar kufijtë e të gjitha fantazive dhe ligësive të pritshme./tvklan.al