Ursula von der Leyen rizgjidhet Presidente e Komisionit Europian edhe për 5 vite të tjera. Politikania gjermane e Partisë Popullore Europiane mori vetëm votat e përfaqësuesve të koalicionit të shumicës të përbërë edhe nga Socialistët dhe Demokratë si dhe liberalët e Rinju.

Me një votim të fshehtë, ajo siguroi 401 eurodeputetë, nga 360 vota të nevojshme. Në fjalën e saj para votimit, Ursula von der Leyen shprehu vendosmërinë për të vazhduar me procesin e zgjerimit.

“Ballkani Perëndimor, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia kanë zgjedhur lirinë përballë shtypjes, demokracinë përballë varësisë dhe disa prej tyre po e paguajnë shumë shtrenjtë për këtë zgjedhje. Edhe ne duhet të shfaqim vendosmërinë tonë për t’u treguar atyre se e ardhmja do të jetë e lirë dhe begatë në Bashkimin tonë Europian”.

Krahas zgjerimit, prioritet i presidencës së saj është t’i japë Europës së bashkuar një peshë edhe më të madhe në skenën globale.

Planet janë për një Bashkim Europian që të ketë një ushtri më vete, që siç e ka theksuar edhe ajo vetë, është shfaqur si nevojë veçanërisht prej luftës në Ukrainë, ku vendet aleate nuk kanë reaguar të gjitha në mënyrë të njëtrajtëshme për ta ndihmuar këtë vend përballë agresionit rus.

Pritet tashmë që Ursula von der Leyen të paraqesë edhe përbërjen e Komisionit të ri Eurpopian.

Tv Klan