Ushtarë të demoralizuar, civilë të rraskapitur, komandantë qesharakë: ja se si Rusia po e përdor inteligjencën artificiale si armë psikologjike kundër Ukrainës. “Është shkolla e ‘dezinformatsiya’-s sovjetike”. (Shënim: Dezinformatsiya, një term rus që nënkupton shpërndarjen e qëllimshme të informacionit të rremë ose mashtrues për të manipuluar opinionin publik dhe për të arritur qëllime politike, ushtarake apo ekonomike. Pra dezinformim!)
Ekziston një luftë përtej vijës së frontit, llogoreve dhe qyteteve të goditura nga dronët. Është konflikti i nisur nga rusët përmes videove deepfake (video të krijuara me inteligjencë artificiale, që duken shumë reale por në fakt janë të rreme) që synojnë të ulin moralin e ukrainasve, si civilëve ashtu edhe ushtarëve. Një “mjegull digjitale” që ngatërron dhe ul sigurinë. Kështu e përkufizon Francesco Cavalli, themelues i Sensity AI, në studimin e tij me titull “Roli i deepfake-ve në luftën kognitive. Një rast studimi nga fronti ukrainas”.
Sensity bashkëpunon prej kohësh me Protective Intelligence Network, agjenci e ish-policit italian të Interpolit, Angelo Bani, me bazë në Singapor. Së bashku, këto dy organizata kishin zbuluar më parë video të rreme që përfshinin edhe kryeministren italiane Giorgia Meloni.
Cavalli ka analizuar mbi një mijë video me origjinë ruse, të shpërndara në rrjetet sociale, dhe ka arritur në përfundimin se ekziston një “zinxhir narrativ”, pra një strukturë e përbashkët rrëfimi me një qëllim që shkon përtej bindjes: të gërryejë gradualisht moralin, besimin dhe aftësinë për të gjykuar e vendosur.
Videot janë ndërtuar për të goditur në çdo lëvizje në rrjetet sociale: një personazh i krijuar posaçërisht, civil ose ushtar ukrainas, që shpreh frikë, lodhje, zemërim apo dëshpërim. Më pas, vjen atribuimi i fajit, me mesazhe si: “Qeveria na ka lënë vetëm” ose “komandantët janë të paaftë”. Në fund, përcillet ideja se nuk ka më alternativë, duke e paraqitur dorëzimin si “zgjedhje racionale” dhe duke e mbyllur me reflektime si: “Nuk ia vlente, sakrifikuam kot”.
Këto fraza përshtaten për dhjetëra personazhe, burra dhe gra, me uniformë apo civilë, dhe shpërndahen gjerësisht në platforma si TikTok dhe Telegram, duke përbërë një formë moderne të dezinformimit.
Detajet janë të kuruara me kujdes: nga shprehjet e fytyrës te veshjet. Shfaqet një ushtar me helmetë dhe sy të hutuar që ankohet për stresin në front; një tjetër, pa uniformë, tregon se është braktisur me pak shokë dhe se “nuk ka më komunikim”. Në disa video, ushtarët deklarojnë të alarmuar se janë “të rrethuar” dhe se “të gjithë të tjerët kanë vdekur”, duke krijuar ndjesinë e një disfate të afërt. Nuk mungon as zëri i një oficeri rus që, pas dorëzimit, u thotë dy ushtarëve ukrainas: “Bëtë gjënë e duhur”.
Edhe civilët përfshihen në këtë narrativë: një grua e moshuar flet për sakrificat e kota, duke dëshmuar lodhjen e popullsisë, ndërsa një i ri akuzon korrupsionin e qeverisë: “Ata vjedhin ndërsa ne luftojmë”. Në disa raste, përdoret edhe ironia dhe përqeshja, si tek një oficer i paraqitur si obez dhe i paaftë në një studio televizive.
Qëllimi përfundimtar është i qartë: të shumëfishohen dyshimet. Sipas studimit të Cavalli-t, “vazhdimësia me propagandën sovjetike është e dukshme. Edhe atëherë synimi ishte më shumë të ngatërrohej sesa të bindej”. Sot, megjithatë, kjo realizohet përmes teknologjive që kanë ulur ndjeshëm barrierat: kushdo mund të krijojë video të rreme realiste brenda pak sekondash, ndërsa verifikimi i tyre mbetet shumë më i ngadaltë.
Shkrim nga Corriere della Sera
/tvklan.al












Botërori 2026 
