Sekretari amerikan i Luftës Pete Hegseth, është sërish në qendër të kritikave, pasi nuk ruajti qetësinë në Varrin e Ushtarit të Panjohur, në ceremoninë e Ditës së Veteranëve.

Një ushtar që ruante monumentin i tërhoqi vëmendjen me zë të lartë Hegseth, bashkëshortes së tij dhe ndihmësve të sekretarit, pasi u dëgjuan duke qeshur dhe po bënin fotografi në shkallët e vendit solemn.

Menjëherë pas të qeshurave, ushtari që ruante vendin iu afrua grupit dhe, nga një distancë, u bëri thirrje: “Të gjithë vizitorët duhet të ruajnë një atmosferë heshtjeje dhe respekti në çdo kohë.”

Hegseth nuk e vuri re qortimin, por vetëm hodhi një vështrim pas supit dhe vazhdoi të ngjiste shkallët.

I vendosur në zemër të Varrezave Kombëtare të Arlingtonit, Varri i Ushtarit të Panjohur është një vend i shenjtë dhe shërben si varr për tre ushtarakë amerikanë të panjohur, përfshirë një nga Lufta e Parë Botërore, një nga Lufta e Dytë dhe një tjetër nga lufta e Koresë.

Ai njihet gjerësisht si një vend për përkujtim dhe reflektim mbi shërbimin ushtarak, ndërsa ushtarët e ruajnë vendin 24 orë. Vizitorët në memorial duhet të ruajnë qetësinë dhe të tregojnë respektin e nevojshëm.

Hegseth, ish-ushtar i Gardës Kombëtare që ka shërbyer në Irak, është përballur me kritika të shumta për veprimet e tij në krye të Pentagonit, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve hodhi poshtë nismën e një republikani për të nisur procedurat e shkarkimit të tij.

Klan News

/tvklan.al